Komisioni Europian ka zyrtarizuar paketën e “Rishikimeve të Politikave përpara Zgjerimit”, një dokument strategjik që përcakton mënyrën se si Bashkimi Europian synon të përshtatë politikat dhe mekanizmat e tij përpara anëtarësimit të vendeve të reja.
Në fokus të dokumentit janë reformat institucionale, qeverisja, mbrojtja e shtetit të së drejtës dhe mekanizmat që do të shoqërojnë valën e ardhshme të zgjerimit. Në këtë kuadër, procesi i reformave të brendshme të BE-së dhe përparimi i vendeve kandidate parashikohet të ecin paralelisht.
Për Shqipërinë, dokumenti pritet të shoqërohet me një udhërrëfyes specifik për anëtarësimin, i cili parashikohet të përfshihet në Paketën e Zgjerimit të vitit 2026. Shqipëria renditet së bashku me vendet që kanë bërë përparimin më të madh në procesin e integrimit, ndërsa Komisioni Europian vlerëson se zgjerimi do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Një prej parimeve të reja të BE-së është “Integrimi përmes Projektimit”, përmes të cilit skenarët e zgjerimit do të merren në konsideratë që gjatë hartimit të politikave të ardhshme dhe të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar për periudhën 2028–2034.
Qëllimi është që zgjerimi të mos trajtohet vetëm si proces i vendeve kandidate, por të përfshihet në planifikimin e ardhshëm institucional dhe financiar të vetë Bashkimit Europian.
Dokumenti përqendrohet në disa ndryshime të rëndësishme. Një prej tyre lidhet me mekanizmin e Nenit 7, që përdoret në rastet e shkeljeve të rënda të vlerave dhe shtetit të së drejtës.
Komisioni propozon përdorimin e mekanizmit të “shumicës së cilësuar të kundërt” (Reverse QMV), sipas të cilit një vendim për vendosjen e masave do të hynte në fuqi automatikisht, përveç rasteve kur shtetet anëtare arrijnë shumicën e nevojshme për ta rrëzuar. Synimi është që mekanizmi për mbrojtjen e vlerave të BE-së të jetë më efikas dhe më i zbatueshëm.
Një tjetër element lidhet me garancitë financiare. Dokumenti parashikon mundësinë e ngrirjes ose kufizimit të fondeve të reja të BE-së në rastet kur një shtet anëtar nuk respekton angazhimet e marra ose parimet e shtetit të së drejtës.
Në të njëjtën kohë, Komisioni përcakton se anëtarët e rinj do të kenë të njëjtat të drejta si shtetet aktuale të BE-së, përfshirë të drejtën për të pasur një komisioner dhe të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrje.
Megjithatë, vendet e reja mund të angazhohen vullnetarisht që të mos përdorin veton në çështje që lidhen me mosmarrëveshje dypalëshe në kontekstin e zgjerimit, me synimin për të shmangur bllokimin e procesit të integrimit për arsye të tilla.
Kuadri i ri mbështet gjithashtu modelin e “Integrimit Gradual”, i cili do t’u mundësojë vendeve kandidate që përparojnë në përmbushjen e kritereve të kenë qasje më të hershme në sektorë dhe programe të BE-së.
Për Shqipërinë, kjo mund të përkthehet në përfshirje progresive në fusha si siguria kibernetike, mobiliteti ushtarak, Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) dhe rrjetet trans-europiane të energjisë, duke sjellë përfitime ekonomike dhe infrastrukturore edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Komisioni Europian e konsideron mbështetjen për zgjerimin si një investim strategjik për Bashkimin Europian, duke argumentuar se afrimi i vendeve që kanë avancuar më shumë, mes tyre Shqipëria dhe Mali i Zi, mund të kontribuojë në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe tregut europian.
Për Shqipërinë, dokumenti përbën një sinjal të rëndësishëm në procesin drejt objektivit të anëtarësimit në BE. Megjithatë, përmbushja e reformave, zbatimi i tyre dhe ruajtja e konsensusit kombëtar mbeten elementë thelbësorë për avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit.

