Një tjetër vjedhje e bujshme ka tronditur botën e artit në Francë.
Raportohet se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Issoire, në Auvergne, dhe kanë grabitur veprën monumentale “L’Apocalypse”, e cila peshon rreth 210 kilogramë dhe ka një vlerë prej disa milionë eurosh.
Vepra, e zbukuruar me ar dhe gurë të çmuar, dikur cilësohej si “libri më i çmuar në botë”. Vetëm kopertina prej bronzi, e realizuar nga artisti i famshëm spanjoll Salvador Dali peshon rreth 150 kilogramë.
“Apokalipsi” u konceptua dhe u porosit në vitin 1959 nga botuesi i librave të artit Joseph Foret, bazuar në “Apokalipsin” e Shën Joanit. Në realizimin e saj morën pjesë shtatë artistë të njohur, mes tyre Dali, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini.
Në projekt kontribuuan gjithashtu shtatë shkrimtarë dhe mendimtarë, përfshirë Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger, të cilët sollën komentet dhe reflektimet e tyre mbi veprën.
Që prej vitit 1961, “L’Apocalypse” është ekspozuar në vende të ndryshme të botës. Pas disa pronarëve, në vitin 2002 vepra u ble nga koleksionisti Christian Karoutzos, i cili ka treguar se iu deshën rreth dhjetë vjet për ta shlyer blerjen, duke punuar shtatë ditë në javë.
Pas 24 vitesh në pronësi të tij, Karoutzos vendosi këtë verë ta ekspozonte veprën në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Issoire. Por vetëm pak muaj më vonë, ajo u vodh.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për zbardhjen e grabitjes dhe identifikimin e autorëve. I dëshpëruar pas ngjarjes, pronari i veprës e cilësoi humbjen si një goditje të rëndë për trashëgiminë kulturore franceze.
“Është një vepër unike në botë. Kanë vrarë trashëgiminë franceze, kanë vrarë Francën”, deklaroi Karoutzos.
25 punishte artizanale punuan për krijimin e "Apokalipsit". Libri përmban rreth 95,000 shkronja të shkruara në mënyrë kaligrafike. Sipas Karoutzos, kur u krijua, "Apokalipsi" vlerësohej në 2 milionë franga franceze. Kjo është afërsisht 305,000 euro në konvertim të drejtpërdrejtë dhe në atë kohë, libri quhej më i shtrenjti në botë.
Lini një Përgjigje