Zulfaj: Mund t’i humbim mbi 90 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse vendi shkon në zgjedhje
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se vendi rrezikon t’i humbë rreth 90 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes, nëse Kuvendi nuk e zgjedh presidentin sonte dhe vendi shkon sërish në zgjedhje si pasojë.
Sipas tij, 131.4 milionë euro të lidhura me 22 hapa të Planit të Rritjes duhet të përmbushen patjetër deri më 31 dhjetor të këtij viti.
“Pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri me kapacitet të plotë, mund t’i humbim afër 90 milionë euro”, shkroi ai në Facebook.
Sipas saj, disa projektligje që kishin mbetur të bllokuara në qershor për shkak të gjendjes në Kuvend dhe për të cilat mund të humbin mbi 40 milionë euro, janë miratuar sërish në Qeveri dhe janë dërguar në Kuvend. Ato të hënën kaluan në lexim të parë.
Në rast se presidenti nuk zgjidhet sonte sipas afatit kushtetues, këto projektligje nuk mund të procedohen për lexim të dytë dhe do të duhet të nisin sërish nga Qeveria dhe Kuvendi.
Kosova e pranoi pagesën e parë prej 61.8 milionë euro parafinancim në prill.
Megjithatë, Kosova ka ngelur mbrapa në bërjen e reformave të nevojshme dhe tani ka shumë punë për ta zënë hapin, në mënyrë që t’i plotësojë kushtet për pagesat e radhës.
Shuma prej 61.8 milionë eurosh e parafinancimit, sipas BE-së është 7 për qind e totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi me kushte të favorshme për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike.




