Giulia Stefa, 24 vjeçe, me origjinë nga Durrësi, ka ndërruar jetë në Viareggio të Italisë, pasi u ndje keq në banesën ku jetonte me partnerin e saj. Sipas mediave italiane, Giulia pati vështirësi në frymëmarrje dhe më pas pësoi arrest kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës dhe mjekëve në spitalin Noa të Massa-s, ajo nuk mundi të mbijetonte.
E reja kishte kaluar një aksident të rëndë në pistat e skive në Abetone katër vite më parë, pas të cilit kishte pasur probleme shëndetësore. Ajo ishte rritur në Viareggio dhe punonte në biznesin familjar të bojërave. Pas lajmit të rëndë, motra e saj Aurora ka ndarë një dedikim prekës, duke kujtuar lidhjen e fortë mes tyre dhe planet që kishin për të ardhmen. Giulia mezi priste dasmën e motrës dhe të përjetonte bashkë me të atë ditë të veçantë. Ajo gjithashtu mezi priste të bëhej teze.
“Për mua nuk ishe vetëm një motër. Ishe bashkëpunëtorja ime, personi me të cilin u rrita, një pjesë e jetës sime dhe e gjithçkaje që jam. Kishim ende kaq shumë gjëra për të jetuar së bashku. Do të më mungosh çdo ditë të jetës sime. Të dua, motra ime e vogël. Përgjithmonë ne të dyja”, përfundon ajo.
Ceremonia e lamtumirës për 24-vjeçaren do të zhvillohet nesër, më 7 tetor, në kishën Santa Rita në Viareggio.
