AKTUALITET /

Itali, kapet skafi me 563 kg drogë në det, arrestohet 31-vjeçari shqiptar

Autoritetet italiane theksuan se operacioni është rezultat i bashkëpunimit mes njësive ajrore dhe detare të Guardia di Finanza-s, strukturave të Frontex-it, Marinës Ushtarake dhe reparteve territoriale italiane.

Shkruar nga Versus

Itali, kapet skafi me 563 kg drogë në det, arrestohet

Një operacion i Guardia di Finanza-s në det të hapur, pranë brigjeve të Brindisit, ka çuar në sekuestrimin e 563 kilogramëve lëndë narkotike dhe arrestimin e një 31-vjeçari me shtetësi shqiptare.

Operacioni nisi pas sinjalizimit të një avioni të Marinës Ushtarake italiane, i cili po patrullonte në detin Adriatik. Një njësi e Repartit Operativ Aeronaval të Barit, në bashkëpunim me Seksionin Operativ Detar të Brindisit, lokalizoi një skaf disa milje larg bregut dhe e ndoqi për pak kohë, përpara se ta ndalonte.

Pozicioni i pazakontë i mjetit lundrues dhe karakteristikat e tij ngritën dyshime te efektivët. Gjatë kontrollit në bord, ata zbuluan një hapësirë të maskuar ku ishin fshehur disa pako të mbështjella me celofan.

Në total u sekuestruan 546 kilogramë marihuanë dhe 17 kilogramë hashash. Sipas autoriteteve italiane, vlera e drogës në tregun e paligjshëm përllogaritet në më shumë se 5 milionë euro.

Në kuadër të operacionit u sekuestrua edhe skafi i përdorur për transportin e drogës. Bëhet fjalë për një mjet lundrues prej tekstili me fibra qelqi, rreth 6 metra të gjatë dhe i pajisur me motor të fuqishëm.

Drejtuesi i skafit, një 31-vjeçar shqiptar, u arrestua nën dyshimet për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike dhe u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Autoritetet italiane theksuan se operacioni është rezultat i bashkëpunimit mes njësive ajrore dhe detare të Guardia di Finanza-s, strukturave të Frontex-it, Marinës Ushtarake dhe reparteve territoriale italiane.

Në këtë operacion është përfshirë edhe bashkëpunimi me autoritetet shqiptare, përmes Njësisë së Kufirit Detar të Guardia di Finanza-s me bazë në Durrës./Versus.al

Poll