Më pak se dy orë para skadimit të afatit kushtetues, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozon që Justina Shiroka Pulën të jetë kandidate për presidente.
Kurti ka propozuar Justina Pulën për këtë pozitë dhe ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të vijnë dhe ta votojnë.
Ai përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, lë të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votim në zgjedhjen e presidentit, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciake paraprakisht”, tha Kurti.
Shiroka Pula ka qenë pjesëtare e PDK-së në të kaluarën.
Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 deputete e Kuvendit të Kosovës.
Vitin e kaluar, Shiroka Pula u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.













