Shqipëria ka marrë një fitore dramatike 2-1 ndaj San Marinos në Tiranë, duke shmangur një tjetër rezultat zhgënjyes në minutat e fundit të takimit. Heroi i mbrëmjes ishte Kristjan Asllani, i cili realizoi edhe golin e parë, edhe penalltinë vendimtare në minutën e 93-të.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 11-të. Asllani lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke mposhtur portierin e San Marinos dhe duke ndezur festën në stadium.
Shqipëria pati disa mundësi të mira për të dyfishuar avantazhin. Manaj goditi shtyllën, ndërsa Hoxha, Mehmeti dhe Uzuni patën raste të tjera, por kuqezinjtë nuk arritën ta gjenin golin e dytë.
San Marino përfitoi nga mungesa e konkretizimit dhe në minutën e 66-të barazoi rezultatin. Lazzari u gjend i lirë në zonë pas një krosimi dhe me një goditje të saktë mposhti Dajsinanin për 1-1.
Në minutat e fundit, Shqipëria u hodh e gjitha në kërkim të golit të fitores, por përballë gjeti një mbrojtje të vendosur të San Marinos.
Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi të papritur, ndërhyri VAR-i. Pas rishikimit të një episodi në zonën e rreptësisë, arbitri akordoi penallti për Shqipërinë.
Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin dhe në minutën e 93-të nuk gaboi, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë Shqipërisë fitoren 2-1.
Një triumf i vuajtur dhe shumë larg pritshmërive për kuqezinjtë, të cilët rrezikuan seriozisht të linin pikë ndaj San Marinos në Tiranë. Megjithatë, dy golat e Asllanit siguruan tre pikët dhe Shqipëria feston vendin e parë në Grupin C1.
Rezultati final:
Shqipëri 2-1 San Marino
Asllani 11′, 90+3′ (P) / Lazzari 66′
#Shqipëri #SanMarino #Kombëtarja #Asllani #Kuqezinjtë #NationsLeague #Futboll


