Mes tensioneve nga protestat e vazhdueshme, të përshkallëzuara me kërkesën për votimin e plotë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen, dhe nën presionin e afatit të fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kuvendi i Kosovës i dha fund një prej ngërçeve më të gjata politike të viteve të fundit. Pas rreth dy vitesh krizë politike dhe përplasjesh mes forcave kryesore, deputetët zgjodhën Justina Shiroka-Pulën Presidente të Republikës së Kosovës. Justina Shiroka Pula mori 81 vota, kundrejt një vote që ka marrë Eliza Hoxha.

'Betohem, do i kryej me përgjegjësi detyrat e mia në shërbim të Republikës së Kosovës', tha Pula gjatë betimit në Parlament.

Më pas gjatë fjalës para deputetëve, Pula tha se do i shërbejë interesit qytetar dhe do të punojë për unitetin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.

“E pranoj me nder e përgjegjësi detyrën e Presidentes së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Do të punoj për unitet dhe forcimin e institucioneve tona. Kosova do të duhet të ecë përpara e sigurt me orientim të qartë euroatlantik. Do mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, tha mes të tjerash Pula.

Justina Shiroka-Pula është Presidentje e tretë grua e Kosovës, pas Vjosa Osmanit dhe Atifete Jahjagës. Kosova deri më tani ka shtatë presidentë në historinë e saj.

Po ashtu Kuvendi ka votuar projektligjin që parashikon ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë. Amendamenti u votua me 90 vota pro, ndërsa projektligji në tërësi u votua me 88 vota pro. Menjëherë pas miratimit të ndryshimeve, protestues dhe mbështetës të UÇK-së kanë 'shpërthyer' në brohorima gëzimi jashtë ambienteve të Kuvendit. Gjatë votimit për Gjykatën Speciale dhe për Presidenten, në sallë ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.

Kur u propozua nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara?

Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Çfarë janë Dhomat e Specializuara?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:33
Kurti pas zgjedhjes së presidentes së re: Kosova ka institucione stabile, do të punojmë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel

1791190657_albinkurti.JPG

Foto: Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës dhe miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale Kurti shprehet se Kosova ka institucione stabile, ndërsa do të vijojnë punën për të liruar ish-krerët e UÇK-së.

"Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile. Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel.

Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!

Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve", shkroi Kurti.

 

Ora 00:32
Justina Shiroka-Pula mban fjalën e parë si presidente: Së bashku do të ndërtojmë të ardhme më të mirë për brezat pasardhës (VIDEO)

 

Pas betimit, presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, mbajti fjalën e saj të parë para Kuvendit. Ajo u zotua se mandati i saj do të jetë në shërbim të Kosovës, forcimit të institucioneve, qytetarëve dhe forcimit të marrëdhënieve me aleatët.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe përgjegjësi të plotë detyrën si Presidente e Kosovës. Ky mandat i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik apo shoqëror, do të punoj për forcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si shtet demokratik, i sigurt dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbroj kushtetutën, interesin e republikës dhe qytetarët tanë. Besoj në Kosovë, besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovëvs!”, tha presidentja.

Ora 00:22
U zgjodh presidente, Justina Shiroka-Pula betohet në Kuvend

Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka bërë betimin para Kuvendit, me zgjedhjen e saj në këtë detyrë.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve. Me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia. Betohem!”, tha presidentja.

Pas fjalës së saj, të gjithë u ngritën në këmbë për të vijuar me himnin e flamurit.

Ora 00:13
Justina Shiroka Pula zgjidhet presidente e Kosovës

1791324592_justinapula.jpg

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur si Presidente e Kosovës. Eliza Hoxha, e cila ishte kandidatja e PDK, mori vetëm 1 votë, ndërsa 2 ishin të pavlefshme.

Votimi, i cili nisi disa minuta para se të trokiste mesnata, zgjati deri në orën 00:03, duke kaluar afatin kushtetues të 6 tetorit.

Ora 23:48
Ndryshimet për Specialen, Kuvendi i Kosovës miraton ligjin, pritet me duartrokitje

 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë me 88 vota pro ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ky moment u prit me duartrokitje nga të pranishmit.

Me këtë votim, Kuvendi përmbylli shqyrtimin e projektligjit, i cili ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor.

Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Çfarë janë Dhomat e Specializuara?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.