Pas një seance të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës zgjodhi mbrëmë me 81 vota Justina Shiroka Pulën Presidente të re të Republikës. Në garën kokë më kokë mes Eliza Hoxhës dhe Justina Shiroka Pulës, kjo e fundit u zgjodh në krye të shtetit. Eliza Hoxha, e përzgjedhur nga radhët e PDK-së mori 1 votë, ndërsa 2 vota rezultuan të pavlefshme.
Propozimi i Kurtit erdhi pas refuzimit të emrave të mëparshëm, Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit, nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili i konsideroi ata figura politike dhe për këtë arsye të papranueshëm, duke mos u dakordësuar që të jepte votën për ta. Kështu, në minutat e fundit të afatit, kryeministri propozoi Shiroka-Pulën.
Zgjedhja e saj erdhi pas një marrëveshjeje politike në minutat e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, duke i hapur rrugë përfundimit të procesit për zgjedhjen e Presidentes.
Seanca u thirr urgjentisht pak minuta para mesnatës për të shmangur tejkalimin përfundimtar të afateve kushtetuese dhe shpërndarjen e Kuvendit.
Në pikën e parë të rendit të ditës së seancës së djeshme ishte shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ndryshime këto që u miratuan me 88 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Pas një “ngërçi” të gjatë politik që prej kohësh nuk merrte zgjidhje, seanca e djeshme dhe marrëveshja e arrirë mes partive bëri të mundur që Kosova të ketë një Presidente të re.
Që më 4 prill të 2026, dita kur mbaroi mandati i presidentes së mëparshme Vjosa Osmani, politikanët e Kosovës patën mosdakordësim në zgjedhjen e presidentes së re, situatë e cila mori zgjidhje pas 7 muajsh.
Në fjalën e mbajtur pasi arriti të siguronte besimin e deputetëve, Shiroka Pula u betua se do të kryejë detyrën e saj si presidente pa dallime politike, shoqërore apo etnike.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza u sakrifikuan.
Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si një shtet demokratik, i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë.
Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, tha Justina Shiroka Pula.
