Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Nga Banka dhe karriget e Kuvendit, në krye të Kosovës/ KUSH është Justina Shiroka-Pula, çfarë e "shtyu" Hamzën që të dakordësohej për të (PROFIL)

Shkruar nga Newsbomb
Nga Banka dhe karriget e Kuvendit, në krye të Kosovës/ KUSH
Justina Shiroka-Pula

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pula si presidente, i dha fund një ngërçi politik që kishte përfshirë Kosovën në 7 muajit e fundit, duke bërë që vendi tashmë të ketë kreun e shtetit.

Pas propozimit të Albin Kurtit, Shiroka Pula grumbulloi në total 81 vota, që i siguruan asaj karrigen e Presidentes. Propozimi i Kurtit erdhi pas refuzimit të emrave të mëparshëm, Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit, nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili i konsideroi ata figura politike dhe për këtë arsye të papranueshëm, duke mos u dakordësuar që të jepte votën për ta. Kështu, në minutat e fundit të afatit, kryeministri propozoi Shiroka Pulën, e cila në garë me Eliza Hoxhën,  fitoi 81 vota duke u emëruar Presidente e Kosovës.

Pak minuta pas zgjedhjes së Shiroka Pulës e cila u betua se do të kryejë detyrën e saj me dinjitet dhe pa dallime mes qytetarëve, Kurti uroi presidenten për detyrën e re, ndërsa falenderoi kreun e PDK-së që pranoi propozimin. 

“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile. Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel.

Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës! Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve!”, shkruan Kurti në reagimin e tij.

Ajo që del në pah është fakti se Shiroka-Pula nga viti 2008 deri më 2011 ishte ministre e Energjisë dhe Minierave, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Më pas, gjatë periudhës 2011–2014, ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, në krye të të cilës sot qëndron Bedri Hamza, i cili u dakordësua për kandidimin e saj.

Kush është Justina Shiroka-Pula?

Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës. Në dhjetor 2025 u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion.

E lindur në Prishtinë më 1953, ajo përfundoi në vendlindje shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare për teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Zagreb, më 1984. Si dhe kreu doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978 filloi angazhimin akademik në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Puna e saj mësimore dhe kërkimore përfshin menaxhmentin, ndërmarrësinë dhe vendimmarrjen në biznes.

Krahas karrierës akademike, Shiroka-Pula ka mbajtur edhe funksione politike. Nga viti 2008 deri më 2011 ishte ministre e Energjisë dhe Minierave, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Më pas, gjatë periudhës 2011–2014, ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Pas luftës u angazhua edhe në shoqërinë civile, në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e ndërmarrësisë. Sipas biografisë së saj, ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit dhe në Universitetin e Arizonës.

Pula-Shiroka është anëtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga viti 2016. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese