Kuvendi i Kosovës ka votuar Justina Shiroka-Pulën për Presidente të Republikës së Kosovës. Ajo mori 81 vota, ndërsa kundërkandidatja Eliza Hoxha mori një votë. Pas betimit, Pula deklaroi se do t’i kryejë me përgjegjësi detyrat e saj dhe se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, duke u zotuar për unitet, forcim të institucioneve dhe orientim të qartë euroatlantik.
Justina Shiroka-Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Vjosa Osmanit dhe Atifete Jahjagës. Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Amendamenti mori 90 vota pro, ndërsa projektligji në tërësi u miratua me 88 vota. Pas votimit, jashtë Kuvendit pati brohorima dhe festime nga mbështetësit e UÇK-së.
Nisma për ndryshimin e ligjit ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ndryshimet parashikojnë, ndër të tjera, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë, ndërsa Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar vazhdojnë të funksionojnë në Hagë me mandat për hetimin dhe gjykimin e pretendimeve për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës.