Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës Presidente e Kosovës është përshëndetur në Tiranë nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të politikë. Presidenti Bajram Begaj tha se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë së bashku përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
“Urime të përzemërta, znj. Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë. Urime Presidente! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë”, shkroi Begaj.
Edhe kryeministri Edi Rama uroi Shiroka-Pulën, duke theksuar se ajo merr detyrën në një periudhë sfiduese jo vetëm për Kosovën, por për rajonin dhe Evropën.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën. Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, shkroi Rama.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e cilësoi zgjedhjen e presidentes së re si një moment të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi të pjekurisë së institucioneve të saj.
“Ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi e pjekurisë së institucioneve të saj demokratike, në përgjigje të nevojës për të forcuar më tej institucionet, për të konsoliduar arritjet shtetformuese të Kosovës dhe për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik. Ky zhvillim pozitiv përcjell një mesazh të qartë: interesi i qytetarëve dhe i shtetit qëndron mbi çdo ndarje politike”, shkroi Hoxha.
Urimet për Shiroka-Pulën erdhën edhe nga opozita shqiptare. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i uroi presidentes së re sukses në detyrë.
“Zonja Justina Shiroka Pula është një akademike e shquar, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe ish-ministre në qeveri të mëparshme të Kosovës. Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i uroj Presidentes Shiroka Pula sukseset më të mëdha në misionin e saj në krye të Republikës së Kosovës”, shkroi Berisha.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, përshëndeti si zgjedhjen e presidentes, ashtu edhe miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Kosova ia doli! Urime Presidentes së re të Kosovës, profesoreshës Justina Shiroka-Pula, me dëshirat më të mira për sukses në detyrën e saj. Urime gjithashtu për miratimin e ligjit për mbrojtjen e pastërtisë së luftës së UÇK-së. Urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës”, shkroi Bardhi.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përgëzoi Shiroka-Pulën dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës për kapërcimin e ngërçit politik.
“Urimet më të përzemërta Prof. Justina Shiroka-Pula, akademikes së mirënjohur, për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentes së Kosovës. Përgëzime të gjithë deputetëve që dëshmuan mbrëmë pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lartë politike për kapërcimin e një situate sfiduese për Kosovën.”
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota, ndërsa kandidatja e PDK-së, Eliza Hoxha, mori një votë. Zgjedhja erdhi pas një ngërçi të gjatë politik dhe pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që PDK-ja e kishte vendosur si kusht për mbështetjen e zgjedhjes së presidentit.
Lajm në përditësim…

Foto: Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë ka uruar Justina Shiroka-Pulën për detyrën e re si presidente të Kosovës. Në një postim në rrjetet sociale Meta shprehet se mbrëmë deputetët treguan pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lartë politike për kapërcimin e një situate sfiduese për Kosovën.
“Urimet më të përzemërta Prof. Justina Shiroka-Pula, akademikes së mirënjohur, për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentes së Kosovës. Përgëzime të gjithë deputetëve që dëshmuan mbrëmë pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lartë politike për kapërcimin e një situate sfiduese për Kosovën.
Forcimi i institucioneve të Kosovës është në dobi të qytetarëve, të stabilitetit demokratik dhe të së ardhmes europiane të vendit. Konsolidimi i demokracisë funksionale dhe avancimi i proceseve europianizuese duhet të mbeten një përpjekje e përbashkët, në funksion të një Kosove më demokratike dhe më të integruar në familjen europiane”, shkruan Meta.

Foto: Ferit Hoxha
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka uruar Justina Shiroka-Pula, presidenten e re të Kosovës. Përmes një postimi në X, Hoxha shprehet se ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi e pjekurisë së institucioneve të saj demokratike.
Në fjalën e tij Hoxha thekoson gjithashtu se Shqipëria do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën drejt familjes europiane.
Postimi i plotë
Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi e pjekurisë së institucioneve të saj demokratike, në përgjigje të nevojës për të forcuar më tej institucionet, për të konsoliduar arritjet shtetformuese të Kosovës dhe për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik.
Ky zhvillim pozitiv përcjell një mesazh të qartë: interesi i qytetarëve dhe i shtetit qëndron mbi çdo ndarje politike. Dialogu, mirëkuptimi dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet me interes kombëtar janë tregues të pjekurisë demokratike dhe të përgjegjësisë institucionale.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Republikës së Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj, forcimin e mëtejshëm të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe avancimin e aspiratës së ligjshme për integrim të plotë në familjen evropiane dhe euroatlantike.
I uroj Presidentes së re suksese në përmbushjen e këtij misioni të lartë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

Kryeministri Rama ka uruar presidenten e re të Kosovës Justina Shiroka – Pula.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka - Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën.
Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, shkroi Rama në X.









Komente
Komento