Kristjan Asllani ishte një nga protagonistët e fitores 2-1 të Shqipërisë ndaj San Marinos. Pas ndeshjes, mesfushori kuqezi foli për vështirësitë e hasura në këtë takim, por edhe për mënyrën se si e ekzekuton një penallti.
Asllani pranoi se Shqipëria e komplikoi një ndeshje që duhej ta kishte menaxhuar më mirë, duke theksuar se mungesa e golave për ta mbyllur takimin ishte një nga problemet kryesore.
“Nuk e di pse u bë kaq e vështirë. Kur nuk i mbyll ndeshjet, bëhet problem i madh. Ndoshta ne, mesfushorët, nuk po bënim presingun e duhur dhe kishim distanca të mëdha mes reparteve. Rëndësi ka që morëm tri pikët dhe tani duhet të ecim përpara. Ne bëmë atë që na kërkoi trajneri”, u shpreh ai.
Mesfushori i Kombëtares evidentoi gjithashtu një problem në ndërtimin e aksioneve, sidomos në momentet kur lojtarët e mesfushës nuk arrijnë të përfshihen sa duhet në lojë.
“Problemi ynë është kur ne, mesfushorët, nuk e prekim topin dhe detyrohemi ta marrim nga mbrojtësit. Futbolli tani është bërë shumë i vështirë. Në Finlandë bëmë 25 minuta shumë të mira dhe më pas pësuam gol. Duhet të jemi më të kujdesshëm”, deklaroi Asllani.
Në fund, ai foli edhe për penalltinë dhe mënyrën e veçantë që përdor përpara se të godasë nga pika e bardhë. Asllani zbuloi se gjithmonë përpiqet të lexojë lëvizjen e portierit.
“Kur shkova te penalltia, ishte një ‘deja-vu’, si në ndeshjen Lecce-Torino. Unë shikoj gjithmonë portierin. Është një cilësi e mirë që kam”, tregoi mesfushori.
Asllani theksoi se skuadra tashmë po përshtatet me idetë e trajnerit dhe po kupton më mirë atë që kërkohet në fushën e lojës.
“Tani e kuptuam se çfarë kërkon trajneri dhe cilat janë idetë që ai dëshiron të aplikojë”, përfundoi Asllani.
© SYRI.net
‘Nuk kam fjalë për këtë ndeshje’, Gjimshiti i ashpër me Shqipërinë: Ishim shumë dobët, humbëm edhe topat më të thjeshtë
‘Nuk më pëlqeu paraqitja’, Maran nuk fshihet pas fitores me San Marinon: Muçi kishte probleme fizike
Mirlind Daku: Shyqyr që fituam, do të ishte turp nëse San Marino do na merrte pikëBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: