‘Faleminderit fatit për penalltinë’, Hysaj i sinqertë pas fitores me San Marinon: Nuk janë të dobët

‘Faleminderit fatit për penalltinë’, Hysaj i sinqertë pas fitores me San Marinon: Nuk janë të dobët

08:47, 07/10/2026

Shqipëria mori një fitore të vuajtur 2-1 ndaj San Marinos, në një ndeshje ku kuqezinjtë shpërdoruan disa mundësi dhe e komplikuan ndjeshëm situatën në pjesën e dytë. Pas përfundimit të takimit, Elseid Hysaj foli hapur për vështirësitë e hasura dhe pranoi se ekipi duhet të mësojë nga gabimet.

Mbrojtësi kuqezi theksoi se Shqipëria kishte mundësinë ta mbyllte takimin që në pjesën e parë, por mungesa e konkretizimit i dha mundësi kundërshtarit të qëndronte në lojë deri në fund.

“Shqipëria vuan sepse nuk shënon mundësitë që krijon. Nëse do t’i kishim realizuar ato raste, mund ta kishim mbyllur pjesën e parë 3-0. Kështu ndodh me këto skuadra. Kur e lë ndeshjen 1-0, mjafton një top dhe ata mund të krijojnë një rast. Edhe ata luajnë futboll dhe duhet ta kemi parasysh këtë. Kur jemi përpara, duhet të shënojmë”, u shpreh Hysaj.

Ai pranoi gjithashtu se lodhja mund të ketë ndikuar te disa prej lojtarëve, sidomos pas një serie ndeshjesh.

“Disa lojtarë mund të kenë ndjerë lodhjen, sepse kanë luajtur katër ndeshje. San Marino ishte shumë i tërhequr dhe nuk po linte hapësira për të sulmuar me shpejtësi. Edhe unë pashë disa lojtarë që ishin të lodhur. Kjo është e vërteta”, tha mbrojtësi.

Hysaj nuk pranoi ta cilësonte San Marinon si një kundërshtar të dobët, pavarësisht diferencave në letër.

“Nuk mund ta quaj të dobët. Ne kishim raste dhe unë e ndieja se do ta fitonim 2-0 apo 3-0. Në fillim e nisëm mirë dhe patëm mundësi për të shënuar. Problemi erdhi në pjesën e dytë, kur rezultati ishte vetëm 1-0. Një rast i vetëm mund të ndryshojë gjithçka”, deklaroi ai.

Në mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë, Hysaj pranoi se fati ishte në krahun e Shqipërisë në momentet vendimtare të ndeshjes.

“Nëse penalizohesh në një moment të tillë, nuk është e lehtë ta rikuperosh. Faleminderit edhe fatit që patëm, pasi na dha penalltinë dhe arritëm të merrnim tri pikët. Kjo është më e rëndësishmja”, u shpreh ai.

Mbrojtësi kuqezi pati edhe një mesazh për tifozët, duke vlerësuar mbështetjen e tyre në momentet e vështira.

“Tifozëria, kur të jep një dorë, është gjëja më e bukur në botë. Mund të të japë atë shtysën që patëm edhe te penalltia dhe na ndihmoi të merrnim fitoren”, tha Hysaj.

Megjithatë, ai nënvizoi se skuadra duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e bëra, sidomos në përballje ku Shqipëria shihet si favorite.

“Nuk mund të gabosh në këto ndeshje, sepse një gabim penalizon të gjithë grupin. Duhet ta marrim si mësim për nëntorin dhe të jemi gati për ndeshjet e radhës. Nëse nuk jemi 100 për qind të përqendruar, nuk mund të bëjmë asgjë”, theksoi ai.

Sa i përket golit të San Marinos, Hysaj e cilësoi si një moment të pazakontë dhe më shumë si pasojë të neglizhencës së kuqezinjve.

“Nuk e kam parë akoma mirë golin, por nga sa mbaj mend, ishte më shumë neglizhencë nga ana jonë. Ndoshta menduam se nuk do të bënin asgjë. Edhe lojtari që dha pasimin, edhe ai që shënoi, u habitën. Ishte një ndjesi e çuditshme edhe për mua. Numri 8 më tha: ‘Nuk e di si ta dhashë topin’, dhe unë i thashë: ‘As unë nuk e di si e dhe’.”

Në fund, Hysaj pranoi se skuadra humbi disa momente për t’u vendosur siç duhet në fushë, duke i dhënë San Marinos mundësinë të luante më e qetë.

“Po prisnim të vendoseshim dhe na mori kohë. Kjo gjë na kushtoi dhe i lejoi ata të luanin më të qetë”, përfundoi Hysaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco