Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec ku një bombol gazi ka shpërthyer duke lënë të plagosur një grua rreth 75 vjeçe.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit të të moshuarve, Nexhip dhe Naile Sadiku. Ndërsa bëhet me dije se Naile Sadiku ka mbetur e plagosur. E moshuara thuhet se ishte duke ndezur sobën me gaz, kur papritmas bombola i ka shpërthyer duke i shkaktuar asaj djegie të shumta në trup.
Me të dëgjuar shpërthimin e fortë, në banesën e të moshuarve kanë mbërritur menjëherë fqinjët të cilët kanë njoftuar ambulancën.
E plagosura është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin mjekësor për shkak të plagëve dhe djegieve të shkaktuara nga shpërthimi. Ndërsa pritet të transportohet drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Sakaq bëhet me dije se forca e shpërthimit ka qenë e madhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Njëri prej kateve të banesës ku jetonte çifti thuajse është shkatërruar plotësisht.
Të afërmit e tyre kanë folur për mediat duke treguar kështu se dy të moshuarit jetonin të vetëm në banesë, ndërsa djemtë e tyre ndodhen në emigracion.
Në vendngjarje kanë mbërritur dhe shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit. Ndërsa pritet të kemi detaje të reja në vijim.
