Kryeministri Edi Rama ka reaguar në përvjetorin e sulmit të 7 tetorit në Izrael, duke kujtuar viktimat dhe pengjet e marrë nga Hamasi gjatë sulmit të vitit 2023. Në një mesazh të publikuar në X, Rama u shpreh se, edhe pas tre vitesh, “ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë” për familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit.
“Tre vjet kanë kaluar që nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të dashurit e të cilëve u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata që jeta e të cilëve u copëtua dhe për të mbijetuarit që mbanin plagë që asnjë sy nuk mund t'i shohë, ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë vërtet”, shkruan Rama.
Kryeministri kujton edhe vizitën e tij në Nova, vendin ku në 7 tetor 2023 u zhvillua festivali muzikor dhe ku humbën jetën shumë të rinj.
“Më herët këtë vit, qëndrova në Nova. Ka vende ku heshtja flet më shumë se fjalët, dhe Nova është një prej tyre. Të rinj nga shumë kombe ishin mbledhur atje për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, dhe jetët e tyre u vodhën nga errësira e urrejtjes dhe terrorit”, shprehet Rama.
Në vijim të mesazhit të tij, kreu i qeverisë u referua edhe konceptit shqiptar të “Besës”, duke e lidhur atë me historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit.
“Në Shqipëri, kemi një fjalë që përmban një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të thyhet. Në orën më të errët të Evropës, gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke strehuar hebrenjtë nga Holokausti, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar njerëzit e shënuar për vdekje”, shkruan ai.
Rama thekson se kjo trashëgimi kërkon që kujtesa të ruhet dhe që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve.
“Sot, kjo trashëgimi kërkon diçka nga ne. Ajo kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që dhembja të mos braktiset kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve, dhe që ne t'u qëndrojmë besnikë miqve tanë edhe në orët e tyre më të errëta. Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që mban zi sot: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”, përfundon Rama.
Lajmi kryesor:
Izraeli përkujton 3-vjetorin e sulmit nga Hamasi/ IDF: Kemi goditur 100 mijë objektiva, Gaza mes rrënojave! BE: Asgjë nuk e justifikon terrorin! Rama: Pranë jush








