Gjimshiti pas fitores me San Marinon: Nuk më kishte ndodhur asnjëherë në karrierë një ndeshje e tillë!
Shqipëria siguroi një fitore 2-1 ndaj San Marinos në Ligën e Kombeve, por paraqitja e kuqezinjve nuk ishte në nivelin e pritshmërive. Edhe kapiteni Berat Gjimshiti nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes, duke e cilësuar si një nga sfidat më të vështira të karrierës së tij.
Mbrojtësi i kombëtares kërkoi më shumë përqendrim, bashkëpunim dhe mentalitet nga skuadra, ndërsa theksoi se Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga kjo ndeshje.
“Nga kjo fitore duhet të nxjerrim shumë mësime. Në karrierën time vështirë të kemi pasur një ndeshje të tillë, ku ti pretendon se do fitosh. Në fund nuk u duk fare diferenca jonë me San Marinon. Në ato minutat e fundit, doja që të ikja unë i pari, por rreziku ishte”, deklaroi Gjimshiti.
Kapiteni kuqezi u ndal edhe te mënyra se si skuadra reagoi gjatë takimit, duke vënë në dukje rënien e ritmit pas një nisjeje pozitive.
“20 minutat e para ishin të mira, por më pas ishte shumë dobët. Unë si kapiten doja të futesha, të gjithë çunat donin të bënin gol, por duhet fryma në skuadër, jo të shënojë secili për vete. Ka shumë gjëra që duhen përmirësuar”, u shpreh ai.
Gjimshiti e identifikoi mungesën e përqendrimit si një nga problemet kryesore të kuqezinjve, duke kërkuar që skuadra të jetë e përqendruar maksimalisht gjatë gjithë ndeshjes.
“Ajo që nuk shkoi është përqendrimi në atë moment. Duhet të përqendrohesh 100% në çdo ndeshje. Mesfusha ishte bosh. Ishin më shumë agresivë dhe mu dukën sikur kishin më shumë kualitet se sa ne”, tha mbrojtësi.
Në fund, kapiteni i Shqipërisë e vuri theksin te mentaliteti, duke e konsideruar atë një faktor vendimtar përtej cilësive individuale të futbollistëve.
“Gjëja më e rëndësishme është koka. Nëse nuk punojmë me këmbët, duhet të punojë koka. Mendoj që mentaliteti e mund gjithmonë talentin”, përfundoi Gjimshiti.

