Kryeministri Rama përkujton viktimat e 7 tetorit në Izrael: Kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës

07/10/2026 09:22

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në platformën X një mesazh me rastin e trevjetorit të 7 tetorit, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe të mbijetuarit.

Në postimin e tij, Rama sjell në vëmendje edhe traditën shqiptare të “Besës” dhe historinë e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Kanë kaluar tre vjet nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të dashurit e të cilave u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata, jeta e të cilëve u copëtua, dhe për të mbijetuarit që mbartin plagë që asnjë sy nuk mund t’i shohë, ai mëngjes nuk ka përfunduar kurrë vërtet.

Në fillim të këtij viti, isha në Nova. Ka vende ku heshtja flet më fort se fjalët, dhe Nova është një prej tyre. Të rinj nga shumë vende ishin mbledhur aty për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, dhe errësira e urrejtjes dhe e terrorit ua rrëmbeu jetën.

Në Shqipëri, kemi një fjalë që mbart një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të thyhet. Në orën më të errët të Europës, gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke strehuar hebrenjtë për t’i shpëtuar nga Holokausti, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar njerëz të dënuar me vdekje.

Sot, kjo trashëgimi kërkon diçka prej nesh. Kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që pikëllimi të mos lihet kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më kurrë të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve, dhe që t’u qëndrojmë besnikë miqve tanë edhe në orët e tyre më të errëta.

Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që sot mban zi: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”, shkruan Rama.

Top Channel