'Kjo qeveri ka vetëm një lidhje, atë korruptive', Ramaj: KAYO dhe koncesionet, miliona euro te privati

09:32, 07/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, avokati Redi Ramaj ka komentuar çështjen e KAYO-s dhe modelin e koncesioneve e PPP-ve, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të parave publike dhe marrëdhëniet mes institucioneve shtetërore dhe kompanive private.

Ramaj tha se në disa raste kompanitë private marrin pjesën më të madhe të financimit nga shteti pa nisur ende aktivitetin, ndërsa kërkoi që këto raste të kontrollohen dhe të hetohen nga institucionet përgjegjëse.

Duke iu referuar edhe audiopërgjimeve të publikuara nga Syri TV, ai ngriti shqetësime për kompanitë që paraqiten si investitorë të huaj, ndërsa tha se në fund të kësaj situate dëmi bie mbi qytetarët shqiptarë, për shkak të miliona eurove që kanë kaluar te privati.

Pjesë nga intervista:

Në mënyrë të padiskutueshme që jo vetëm çështja e KAYO-s dhe çështja e modernizimit të industrisë së armatimeve në Shqipëri, për aq sa ne mund të kemi këtë industri.

Nga kjo qeveri, prej 2013, të paktën kemi parë që shumica e aferave ose shumica e çështjeve që qeveria, kryeministri ka dashur të implementojë në Shqipëri, nëpërmjet kompanive private, p.sh. PPP-ve ose nëpërmjet koncesioneve të tilla me një kompani shtetërore, siç është KAYO, duke u përfshirë me APS në marrëdhënie me të tretë, me private.

Kryesisht kanë qenë problematike që nga ana ligjore, në këndvështrimin tim, por çifte dhe nga mënyra se si kanë operuar këto kompani, këto institucione shtetërore, të cilat kanë bashkëpunuar për të qarkulluar paratë publike, se ka një defekt shumë të madh. Këtu nuk vijnë investitorë të huaj seriozë, të cilët investojnë miliona euro, të cilat janë të dukshme dhe prekin shqiptarët, pra ndikojnë mbi shqiptarët. Këtu vijnë kompani fantazmë, të cilat hiqen si kompani të mëdha, e tha dhe në audiopërgjimin që ju keni nxjerrë në Syri TV, “duam të bëjmë lekë”, tha vetë zoti Roni Yeffet, tha dhe që të vijnë në Shqipëri, se në Shqipëri ka mundësi.

Pra, si mundet që me pak para të vish nga jashtë dhe shumicën e buxhetit të kompanisë private ta marrin nga shteti pa filluar punën akoma? Dhe kjo është një problematikë shumë e madhe, që ata të cilët auditojnë, ata të cilët kontrollojnë buxhetin e shtetit, duhet të ngrenë pikëpyetje, nga mos të themi pastaj për Prokurorinë e Posaçme dhe ata që hetojnë.

Si mundet të marrësh të gjithë buxhetin e shtetit pa e ditur se ku do shkojmë? Ja, është serioze kompania dhe jam dakord që merr një shumë të madhe parash dhe e kthen edhe disa fish, por jo, nuk e di a ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Kryesisht, kur kanë marrë para nga buxheti i shtetit, kompanitë e kanë kryer atë mision, i kanë marrë ato paratë dhe janë larguar.

Pra, këto kompani dhe kjo lloj metode që ka qeveria ka vetëm një lidhje, është lidhja korruptive, është lidhja familjare, është lidhja e njohjes, janë disa gjëra që kalojnë përtej gjësë. Kuptohet që kryeministri, kur në përgjime ky zotëria thotë që dua të pasurohem, kryeministri i ka qejf këta njerëz. Ka një lloj metode dhe skeme, e kemi parë me inceneratorët dhe variante të tjera.

Duhet të ndalohen këto lloj koncesionesh që dëmtojnë Shqipërinë. Kemi pas raste të tjera pa fund në Shqipëri që vijnë dhe janë kompani joserioze, nuk investojnë, nuk krijojnë vende pune, mundësi për shqiptarët që t’u rriten të ardhurat shqiptarëve.

Do kalojmë në një skandal shumë të madh, nëse kjo gjë do vazhdojë, do hetohet, do debatohet, do kalojë në Kuvend etj., etj., dhe do kemi një skemë ku i vetmi që dëmtohet është qytetari shqiptar, për shkak të miliona eurove, të cilat kanë kaluar te privati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco