Një shpërthim i fortë ka shkaktuar panik mëngjesin e sotëm në Roskovec, ndërsa një grua rreth 75 vjeçe ka mbetur e plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit të të moshuarve Nexhip dhe Naile Sadiku. Paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka ndodhur teksa Naile Sadiku po përpiqej të ndizte sobën me gaz.
E moshuara ka pësuar djegie në trup dhe është nxjerrë nga banesa me ndihmën e fqinjëve dhe të afërmve, të cilët kanë mbërritur menjëherë pas shpërthimit. Ajo është transportuar më pas drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa ka shkaktuar dëmtime të rënda në banesë. Një pjesë e katit ku jetonte çifti është dëmtuar rëndë, ndërsa disa ambiente janë shkatërruar.
Sipas familjarëve, çifti jetonte i vetëm në banesë, pasi djemtë e tyre ndodhen jashtë vendit.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe nëse bëhet fjalë për një defekt apo rrjedhje gazi.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë verifikimet për rrethanat e plota të ngjarjes.