
Një shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua në lagjen “Çlirimi” të qytetit të Elbasanit. Si pasojë e shpërthimit u dëmtua dera e jashtme e rrethimit të banesës së shtetasit Sh.F., 69 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse dyshohet se është vendosur pranë hyrjes së banesës, duke shkaktuar dëmtime në derën e jashtme të rrethimit. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave. Janë administruar provat dhe materialet e nevojshme, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje. Në banesë jeton çifti Frakulli, ndërsa dy djemtë e familjes ndodhen prej vitesh në emigracion, përkatësisht në Angli dhe Itali.
Një nga pistat që mund të verifikohet nga grupi hetimor lidhet me mundësinë që dëmtimi i banesës të jetë një akt intimidues ose mesazh kërcënues ndaj familjes. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka të dhëna zyrtare që të konfirmojnë motivin e ngjarjes apo ndonjë lidhje të saj me aktivitetin e djemve të familjes në emigracion.