Një sasi e vogël lëndë plasëse shpërtheu mëngjesin e sotëm në portën e banesës së 69-vjeçarit Shefki Frakulli, në lagjen “Çlirimi” të Elbasanit.

Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, vetëm dëme të vogla materiale.

Autori ka mbërritur pranë banesës me biçikletë, ka vendosur lëndën plasëse dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në banesë jeton çifti Frakulli, ndërsa dy djemtë e familjes ndodhen prej vitesh në emigracion

“Në lagjen “Çlirimi”, është dëmtuar, dyshohet me lëndë plasëse, dera e jashtme e rrethimit të banesës së shtetasit Sh. F., 69 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale", njoftoi sot  policia.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.