Kur Justina Shiroka-Pula bëri betimin si presidente e Kosovës, mori fund ngërçi politik por Kosova vazhdoi një traditë të pazakontë për rajonin. Në vetëm 15 vjet, posti më i lartë i shtetit është mbajtur nga tri gra: Atifete Jahjaga, Vjosa Osmani dhe tani Justina Shiroka-Pula.
Të treja kanë mbërritur në Presidencë në momente të ndryshme dhe përmes rrugëve krejt të ndryshme. Njëra erdhi nga Policia, tjetra nga politika aktive, ndërsa presidentja e re nga universiteti dhe bota akademike.
Atifete Jahjaga, kolonelja që askush nuk e priste
Pranvera e vitit 2011 ishte një nga periudhat më të vështira për politikën kosovare.
Pas shpalljes antikushtetuese të zgjedhjes së Behgjet Pacollit si president, vendi kishte hyrë në krizë institucionale. Partitë nuk po gjenin një zgjidhje dhe Kosova rrezikonte të zhytej edhe më thellë në ngërç.
Në atë moment doli një emër që pothuajse askush nuk e kishte përmendur.

Atifete Jahjaga ishte zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Kosovës, me gradën kolonel.
Sipas dëshmive të kohës, ambasadori amerikan Christopher Dell e telefonoi për ta pyetur nëse pranonte të ishte kandidate për presidente. Pak orë më vonë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli shpallën marrëveshjen që i dha fund krizës politike dhe emri i Jahjagës u bë kandidatura konsensuale.
E lindur në një familje nga rrethina e Gjakovës, Jahjaga ishte juriste me profesion. Në Policinë e Kosovës hyri në vitin 2000. Karrierën e nisi si përkthyese, më pas punoi në Policinë Kufitare dhe në departamentin e trajnimeve, derisa u ngjit në gradën e koloneles. Gjatë viteve ndoqi edhe trajnime profesionale në Shtetet e Bashkuara.
Më 7 prill 2011 u zgjodh presidente e Kosovës.
Mënyra se si u propozua bëri që për vite me radhë ajo të etiketohej si "Presidentja e zarfit". Shprehja "5 vjet në zarf" mbeti një nga metaforat më të njohura të politikës kosovare, pasi emri i saj u bë publik si pjesë e marrëveshjes që zhbllokoi krizën.
Megjithatë, Jahjaga e çoi deri në fund mandatin kushtetues, nga 7 prilli 2011 deri më 7 prill 2016. Gjatë presidencës u angazhua veçanërisht për të drejtat e grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Vjosa Osmani, nga LDK-ja në Presidencë
Pesë vite më vonë në Presidencë mbërriti Vjosa Osmani.
Juriste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, me studime master dhe doktoraturë në Universitetin e Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara, Osmani e nisi karrierën politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nga viti 2006 deri në vitin 2010 ishte këshilltare e presidentit Fatmir Sejdiu. Në të njëjtën periudhë ishte edhe pjesë e ekipit ligjor që mbrojti shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Brenda LDK-së u kthye shpejt në një nga figurat më të votuara, por marrëdhëniet me drejtuesit e partisë u përkeqësuan. Përplasjet me Isa Mustafën çuan në shkarkimin e saj nga të gjitha funksionet drejtuese në vitin 2020.
Pak muaj më vonë mori vendimin që ndryshoi karrierën e saj politike.
Krijoi iniciativën "Guxo" dhe në zgjedhjet e vitit 2021 garoi në listën e Vetëvendosjes së Albin Kurtit.
Rezultati ishte historik.
Osmani mori mbi 300 mijë vota personale, duke u bërë politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë.
Më 4 prill 2021 u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës, pasi kishte ushtruar edhe detyrën e presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Gjatë mandatit bashkëpunoi me qeverinë e Albin Kurtit, por me kalimin e viteve u shfaqën edhe dallime për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në prill të vitit 2026 përfundoi mandatin pesëvjeçar pa u rizgjedhur presidente. Një muaj më vonë u rikthye në Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë ku kishte nisur karrierën politike dhe nga e cila ishte larguar gjashtë vite më parë.
Justina Shiroka-Pula, nga auditorët në Presidencë
Presidentja e re e Kosovës ndërtoi emrin në auditorë, universitete dhe institucione shkencore, shumë kohë përpara se të rikthehej në qendër të politikës.
Ekonomiste dhe akademike, ajo është gruaja e parë që drejtoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucioni më i lartë shkencor në vend, i themeluar në vitin 1975.
E lindur në Prishtinë në vitin 1953, Shiroka-Pula kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në kryeqytet. Në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikat e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Zagreb në vitin 1984. Më pas mbrojti doktoraturën në Universitetin e Prishtinës me tezën "Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës".
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, por shumë shpejt iu përkushtua botës universitare. Në vitin 1978 nisi punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku për dekada dha mësim dhe mbajti edhe funksione drejtuese. Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo kreu edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 drejtoi Ministrinë e Energjisë dhe Minierave si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa më pas, deri në vitin 2014, ishte deputete e PDK-së në Kuvend.
Pas luftës u angazhua edhe në shoqërinë civile, duke punuar në projekte që lidhen me fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.
Në fund të vitit 2025 u zgjodh unanimisht në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion. Kur mori drejtimin, shpalli si prioritete bashkëpunimin me universitetet dhe akademitë ndërkombëtare, si edhe afrimin e studiuesve të rinj me institucionin.

Me81 vota në Kuvend, Shiroka-Pula u zgjodh në krye të shtetit dhe në fjalimin e saj të parë premtoi se do të ishte presidente e të gjithë qytetarëve.
Pak orë pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës, ish-presidentja Atifete Jahjaga e cilësoi këtë një moment me peshë të veçantë për Kosovën dhe një vazhdimësi domethënëse të lidershipit të grave në Zyrën e Presidentes.
“Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula në detyrën më të lartë të shtetit është një moment me peshë të veçantë për Kosovën dhe një vazhdimësi domethënëse e lidershipit të grave në Zyrën e Presidentes së Republikës”, u shpreh Jahjaga.
Ajo tha se një jetë e ndërtuar mbi dije, punë, përkushtim dhe integritet tashmë merr përgjegjësinë për t'i shërbyer vendit, për të ruajtur unitetin dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet.
“Trashëgimia e një institucioni nuk matet vetëm me atë që realizojmë gjatë një mandati, por edhe me rrugët që lëmë të hapura për ata që vijnë pas nesh”, tha ish-presidentja.







Komente
Komento