Ja çfarë parashikon ligji i ri, Kuvendi i Kosovës miraton kufizimet për Gjykatën Speciale

Nga Xhevahir Qardaku
7 Tetor 2026, 10:32 | Politikë

Protesta fitoi! Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë me 88 vota pro projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, që ishte arsyeja pse u vonua në ekstrem zgjedhja e presidentes së re.

Pro ndryshimeve ligjore votuan deputetët nga Vetëvendosje, PDK-ja dhe Aleanca, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim. Projektligji u miratua me një amendament, shkruan A2.

Projektligji parashikon ngushtimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke e kufizuar atë kryesisht te pretendimet për trafikimin e organeve dhe krimet e lidhura drejtpërdrejt me to, si dhe ndryshimin e periudhës kohore dhe territoriale të veprave që mund të gjykohen. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu një dënim maksimal prej 15 vitesh burgim, mundësinë e faljes presidenciale, transferimin në Kosovë të rasteve jashtë juridiksionit të ri dhe mundësinë që të dënuarit të vuajnë dënimin në Kosovë.

Megjithatë, projektligji nuk do të anulonte automatikisht aktgjykimet ekzistuese, ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar se ndryshimet e mandatit të Speciales mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe të prekin detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Votimi në kuvend u prit me shumë entuziazëm nga protestuesit jashtë godinës, të cilët pas ditësh manifestimi, tensioni dhe përplasje me policinë e ligjvënësit, vendosën që të largohen nga sheshi.

Nisma e PDK-së erdhi vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me 81 vjet heqje lirie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos