New York vijon të mbajë fronin si qyteti më i mirë në botë, sipas renditjes së fundit të Oxford Economics. Metropoli amerikan kryeson listën globale, e cila përfshin plot 1,000 qytete nga vende të ndryshme të botës. Pozicionin e parë New York e siguron falë rezultateve të forta në disa prej fushave që përcaktojnë zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e një qyteti, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe të kapitalit njerëzor.
Pas tij vjen Londra në vendin e dytë, ndërsa Parisi plotëson podiumin në vendin e tretë. Për të përcaktuar renditjen, Oxford Economics nuk është fokusuar vetëm te fuqia financiare e qyteteve. Analiza është ndërtuar mbi pesë dimensione kryesore: ekonomia, kapitali njerëzor, cilësia e jetës, mjedisi dhe qeverisja.
Në këtë mënyrë, raporti synon të tregojë se sa të suksesshme janë qytetet jo vetëm për biznesin dhe investimet, por edhe për njerëzit që jetojnë në to dhe për aftësinë e tyre për të zhvilluar modele më të qëndrueshme urbane. New York, Londra dhe Parisi vijojnë kështu të dominojnë majën e klasifikimit global, duke konfirmuar peshën e tyre si qendra të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe ndërkombëtare.