Një fluturim në safari është përballur me momente dramatike në Tanzani, pasi avioni goditi një zebër gjatë ngritjes dhe më pas u detyrua të kryente një ulje emergjente. Avioni i tipit Embraer EMB-120, i operuar nga Sindbard Air, goditi kafshën e egër teksa po ngrihej nga pista e Seronerës, në Parkun Kombëtar Serengeti.
Pas incidentit, ekuipazhi konstatoi një problem me sistemin e trenit të uljes. Avioni, i cili fillimisht ishte nisur drejt ishullit të Zanzibarit, u devijua për në Aeroportin Ndërkombëtar të Kilimanxharos. Gjatë afrimit për ulje, piloti nuk arriti të nxirrte rrotën e parë, duke u detyruar të realizonte një ulje emergjente me pjesën e poshtme të avionit mbi pistë. Pavarësisht situatës së rrezikshme, nuk u raportua asnjë person i lënduar. Të 26 pasagjerët dhe katër anëtarët e ekuipazhit arritën të dilnin të sigurt nga avioni.