Kos paralajmëron nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi verën e ardhshme
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar mundësinë që Mali i Zi ta nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë verës së vitit të ardhshëm.
Ajo ka thënë se pjesa teknike e negociatave me Malin e Zi mund të përfundojë deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa ka theksuar që Komisioni tashmë është duke përgatitur traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet verën e ardhshme.
“Pastaj vijon procesi i ratifikimit, i cili mund të zgjasë nga një deri në dy vjet, varësisht nga ajo që do të ndodhë në shtetet anëtare veç e veç. Kjo do të thotë se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028”, deklaroi Kos para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Në negociatat për anëtarësim, tashmë ka mbyllur përkohësisht më shumë se gjysmën e kapitujve. Aktualisht, ka gjithsej 18 kapituj të mbyllur përkohësisht, nga gjithsej 33 sa janë në procesin negociues për anëtarësim. Mali i Zi ende synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti.
Mali i Zi do të jetë i pari që do t’i ndiejë rregullat e reja të Komisionit Evropian, që më 6 tetor miratoi propozimin për vendet e ardhshme anëtare.
Komisioni ka theksuar se qasja e re fillimisht do të zbatohet për marrëveshjet e anëtarësimit në Marrëveshjen me Malin e Zi, e më pas edhe për traktatet e ardhshme të anëtarësimit.
Zgjerimi i BE-së do të jetë në qendër të diskutimeve të krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane në samitin që do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel. Liderët e 27 shteteve anëtare do të shqyrtojnë edhe perspektivat për përfundimin e negociatave me Malin e Zi.
“Këshilli Evropian mirëpret punën që po zhvillohet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi dhe vëren synimin e presidencës së Këshillit të BE-së për t’i mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti”, thuhet në draftin e konkluzioneve të samitit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë.
Komisioni Evropian në fund të tetorit do të paraqesë udhërrëfyesit kuadër për katër vendet që konsiderohen më të avancuara në procesin e anëtarësimit: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Kusht është që këto vende ta ruajnë ritmin e reformave. Udhërrëfyesit nuk paragjykojnë rezultatin dhe as dinamikën e negociatave, por shërbejnë si bazë për punën e Këshillit të BE-së.
Haxhiu uron Justina Shiroka-Pulën: Kuvendi i Kosovës përmbylli një proces të gjatë dhe të vështirë politik
Serbi, dënohet një anëtar i grupit që dyshohet për lidhje me sabotimet ruse në Evropë
Ali Ahmeti uron Justina Shiroka-Pulën për detyrën e presidentes: Stabiliteti dhe interesi shtetëror duhet të jenë udhërrëfyes
- 11:01 Çekia konfirmon tërheqjen nga Eurovision 2027 në Burgas për shkak të buxhetit
- 10:53 Përfundojnë kërkimet për ekuipazhin e anijes që u fundos në Detin e Zi, nuk gjendet asnjë nga anëtarët
- 10:52 IKMT shkatërron tre furra artizanale të gëlqeres në Krastë të Krujës (VIDEO)
- 10:39 Një tjetër rafineri ruse del jashtë funksionit, uzina e Volgogradit mbyllet plotësisht pas sulmit me dron
- 10:15 Përplasje në PE në 3-vjetorin e 7 Tetorit, eurodeputetja franceze heq flamurin e Izraelit, ambasadori reagon ashpër
- 10:05 Arratisja e Alket Rizait/ Dyshime se është larguar drejt Shqipërisë ose Kosovës, dëshmia e re: Përdori megafon policie