
Ndonëse ritmet e rritjes po ngadalësohen në krahasim me dy vitet e mëparshme, bumi i mjeteve që qarkullojnë në vend sa vjen e po shtohet edhe gjatë 8 muajve të 2026-s.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, për periudhën janar-shtator kanë hyrë në qarkullim për herë të parë 74.1 mijë automjete, pothuajse në të njëjtat nivele me 9-mujorin e një viti më parë.
Në muajin shtator, u regjistruan për herë të parë 7639 mjete. Ndryshe nga korriku, kur numri i mjeteve ra me 10% me bazë vjetore, në gusht tendenca ishte me rritje, ndonëse fare e lehtë me 1%.
Importet e mjeteve u ngadalësuan pas marsit, si rrjedhojë e vështirësive me transportin që u shfaqën pas konfliktit në ngushticën e Hormuzit, që rriti koston e automjeteve që vijnë nga Azia, ndonëse ato nuk kalonin direkt nga kjo ngushticë.
Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet dy vitet e fundit.
Për 9-mujorin, rreth 19.5 mijë mjete, ose rreth 26% e regjistrimeve për herë të parë, e kishin origjinën nga Koreja e Jugut. Tre vitet e fundit, Koreja e Jugut po dominon, për shkak të çmimeve më të lira të blerjes nga shteti i largët.
Kina po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e interesi për makina elektrike. Rreth 16% e mjeteve që u regjistruan për herë të parë në janar-shtator, ose 11.8 mijë mjete, kishin origjinën nga Kina.
Gjermania dhe Italia, dy shtetet e dikurshme dominuese, kanë kaluar në vend të tretë dhe të katërt, përkatësisht me 8.9 dhe 8.6 mijë mjete për 9 mujorin.
Interesi për mjetet elektrike po rritet sërish, pas një ngadalësimi me fillimin e krizës së Lindjes së Mesme, që pengoi transportin e tyre nga Kina, që është destinacioni kryesor. Në shtator, u regjistruan për herë të parë 716 të tilla, niveli më i lartë nga qershori.
Për 8-mujorin janë regjistruar gjithsej 7,796 mjete elektrike, ose 2 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.
Mjetet elektrike përbënin 10.5% të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë për periudhën janar-shtator.
Marka BYD zë vendin e parë për mjetet elektrike që po regjistrohen për herë të parë në vend, me gati 5 mijë mjete për periudhën janar-shtator, ose 64% të totalit të makinave që përdorin energjinë elektrike si lëndë djegëse.
Sipas llojit të markave, Volkswagen dhe Mercedes-Benz vijojnë të mbeten dy markat historikisht më të preferuara nga blerësit shqiptarë, me rreth 17% dhe 15% të regjistrimeve në periudhën janar-shtator 2026.
Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë në fund të shtatorit.