Kristjan Asllani nderoi kombëtaren me rezultatin 2-1 përballë San Marinos, teksa dopieta e tij dhe sidomos goli në minutën e 93, shpëtuan kuqezinjtë nga një barazim dramatik, që do të ndikonte jo pak në moralin e kombëtares. Kjo ishte edhe arsyeja përse ndryshe nga sulmuesit, të cilët morën nota të dobta në këtë ndeshje, Asllani u vlerësua me 10 nga ‘Sofascore’.
“Jam shumë i lumtur se … në pjesën e dytë ishte shumë e vështirë për ne. Nuk e di pse, por nuk bëmë më presing. I pritëm ata dhe e luajtën topin shumë mirë. Patëm vështirësitë tona, por fituam. Tani jemi në vend të parë dhe duhet të fitojmë ato ndeshje që na mbetën,”-u shpreh Kristjan Asllani, futbollist i Kombëtares.
Të pakënaqur me paraqitjen e Kombëtares ndaj San Marinos, rivalit që mban vendin e fundit në renditjen e FIFA-s, ishin edhe senatorët e përfaqësueses.
“Fola edhe me djemtë në dhomat e zhveshjes që këtë ndeshje duhet ta ngulisim mirë në mendje. Duhet të jetë një mësim për ne sepse nuk ishte një ndeshje e bukur. Është mësim që nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë skuadër. Duhet të japim 100%. Të shënojmë golat. Nëse e bëjmë këtë e japim 100% jemi të qetë me veten tonë,”-tha Elseid Hysaj, futbollist i Kombëtares.
“Në qoftëse nuk jep sinjal kjo ndeshje nuk do të japë asnjë ndeshje. E vetmja gjë pozitive në këtë sfidë është që fituam në minutë të fundit me një penallti. Kjo do të jetë një mësim jo vetëm për ndeshjet e nëntorit, por edhe të ardhmen e të gjithë futbollistëve që sot ishin në fushë ose në bankinë,”-deklaroi Berat Gjimshiti, kapiten i Kombëtares.
“Nganjëherë edhe pse pret rezultat më të thellë nuk është e lehtë. Me rëndësi janë 3 pikët. Jam i sigurtë që kjo sfidë na rrit, na bën të mendojmë dhe mos të mendojmë se ka kundërshtar të lehtë,”-u shpreh Ardian Ismajli, futbollist i Kombëtares.
Pas 4 ndeshjesh në 11 ditë, Kombëtarja do të rikthehet të luajë në muajin nëntor në Ligën e Kombeve, teksa me 12 pret Finlandën në Air Albania, ndërsa ndeshja e fundit në grup është kundër Bjelloruisës me 15 nëntor.








Komente
Komento