Dy qendra të të dhënave të Google, që po ndërtohen në Finlandë, janë përfshirë në një urdhër pezullimi nga autoritetet, për shkak të shqetësimeve mbi prerjen e qindra hektarëve pyje dhe pasojat e mundshme mjedisore.
Të lidhura
None found
Projektet janë pjesë e planit të investimit prej 13 miliardë eurosh që Google ka njoftuar në Finlandë. Kompania e ka cilësuar këtë si investimin më të madh të saj në Evropë. Në kuadër të tij parashikohet ndërtimi i tre qendrave të reja të të dhënave, si edhe investimi në një qendër të katërt që është tashmë aktive.
Vendimi për ndalimin e punimeve u mor nga Autoriteti Finlandez për Mbrojtjen e Mjedisit (LVV), pasi u konstatua se në njërin prej kantierëve procesi kishte nisur pa përfunduar më parë vlerësimi i detyrueshëm i ndikimit në mjedis.
LVV ka bërë të ditur se punimet që mund të “ndryshojnë ndjeshëm mjedisin” duhet të ndërpriten deri më 23 tetor. Deri tani, në zonat e prekura janë prerë pemë, është larguar shtresa e sipërme e tokës, janë hapur rrugë hyrëse dhe hapësira magazinimi, ndërsa janë kryer edhe ndërhyrje në kanale.
Google ka pranuar se në këtë çështje nuk ka respektuar standardet e veta dhe ka deklaruar se do të zbatojë udhëzimet e autoriteteve finlandeze.
Kompania është shprehur se ka vepruar “me mirëbesim”, duke u mbështetur në kuadrin e legjislacionit pyjor. Ajo ka shtuar se synon të mbjellë pemë edhe në një prej zonave të zgjedhura për ndërtim.
Plani i investimit përfshin edhe një marrëveshje 22-vjeçare me kompaninë finlandeze Fortum për furnizimin me energji elektrike. Kontrata mbulon deri në gjysmën e kapacitetit prodhues të centralit bërthamor Loviisa.
Google parashikon që ndërtimi i qendrave të të dhënave gjatë viteve 2027 dhe 2028 të mbështesë mbi 37 mijë vende pune dhe të sjellë një kontribut prej 3.6 miliardë eurosh në ekonominë e Finlandës.
Klima e ftohtë dhe energjia elektrike me karbon të ulët e kanë bërë Finlandën një pikë të preferuar për investimet në qendrat e të dhënave. Temperaturat e ulëta ndihmojnë në uljen e sasisë së energjisë që nevojitet për ftohjen e këtyre objekteve.
