KOSOVË- Kosova e ka kthyer në traditë tashmë zgjedhjen e grave në postin e Presidentes. Pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit, në krye të shtetit u zgjodh mbrëmë, Justina Shiroka-Pula, emri që i dha fund ngërçit të gjatë politik në vend.
Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente, pas një marrëveshjeje në çastet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ajo u zgjodh që në rundin e parë të votimit, me 81 vota për, minimumi i kërkuar në këtë rund. Pra në vetëm 15 vjet, posti më i lartë i shtetit është mbajtur nga tri gra: Atifete Jahjaga, Vjosa Osmani dhe tani Justina Shiroka-Pula.
7 prill 2011, Atifete Jahjaga
Pranvera e vitit 2011 ishte një nga momentet më të vështira për politikën kosovare. Pas shpalljes antikushtetuese të zgjedhjes së Behgjet Pacollit si president, vendi u përfshi nga një krizë institucionale.
Në këtë situatë, në skenë doli një emër i papritur: Atifete Jahjaga, atëherë zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, me gradën kolonel. Pas një marrëveshjeje mes liderëve politikë të kohës, Jahjaga u bë kandidatura konsensuale për presidente. Më 7 prill 2011, ajo u zgjodh në krye të shtetit.
E diplomuar për drejtësi dhe me një karrierë të gjatë në Policinë e Kosovës, Jahjaga u përball me etiketime si “Presidentja e zarfit”, për shkak të mënyrës së papritur se si emri i saj u bë pjesë e marrëveshjes politike.
Megjithatë, ajo e përfundoi mandatin e plotë pesëvjeçar, deri më 7 prill 2016. Gjatë presidencës, një nga çështjet ku u përqendrua ishte mbrojtja e të drejtave të grave dhe e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
4 prill 2021 Vjosa Osmani
Pesë vite pas Atifete Jahjagës, në Presidencën e Kosovës u zgjodh Vjosa Osmani. Juriste e diplomuar dhe me studime të avancuara në Shtetet e Bashkuara, Osmani e nisi karrierën politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku shërbeu edhe si këshilltare e presidentit Fatmir Sejdiu. Ajo ishte pjesë e ekipit ligjor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Pas përplasjeve me drejtuesit e LDK-së, Osmani u largua nga partia dhe krijoi iniciativën “Guxo”. Në zgjedhjet e vitit 2021 garoi në listën e Vetëvendosjes dhe mori mbi 300 mijë vota personale. Më 4 prill 2021 u zgjodh Presidente e Kosovës, pasi kishte ushtruar përkohësisht edhe detyrën e presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Gjatë mandatit pati bashkëpunim me qeverinë e Albin Kurtit, por edhe dallime për çështje të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Në prill 2026 përfundoi mandatin pesëvjeçar. Një muaj më vonë, Osmani u rikthye në Lidhjen Demokratike të Kosovës, partia ku kishte nisur karrierën e saj politike.
7 tetor 2026, Justina Shiroka-Pula
Presidentja e tretë grua u zgjedh mbrëm, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Justina Shiroka Pula u zgjedh presidente, qysh në rundin e parë të votimit, me 81 vota për. Shiroka Pula u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon me përgjegjësi detyrën e re.
Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Shiroka Pula u propozua në çastet e fundit të afatit për presidentin e ri nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kandidatura e saj u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Shiroka Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa më 1978 nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë./Dosja.al