Shkatërrohen tre furra artizanale në Krujë, digjnin goma dhe mbetje plastike

07/10/2026 11:53

Tre furra artizanale të gëlqeres në zonën e Krastës në Krujë janë shkatërruar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), pasi dyshohet se në to digjeshin goma dhe mbetje plastike.

Sipas IKMT-së, ndërhyrja erdhi pas një ankese të mbërritur në institucion, e cila solli nisjen e verifikimeve në terren.

Gjatë kontrolleve, strukturat përgjegjëse konstatuan aktivitetin e furrave, ndërsa më pas u ndërmor aksioni për prishjen e tyre.

Tre strukturat artizanale u shëmbën nga IKMT-ja, ndërsa rasti i është referuar Policisë së Shtetit për vijimin e procedurave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

IKMT-ja nuk ka bërë të ditur ende nëse ka persona të proceduar lidhur me rastin.

Top Channel