Greta Gjoci, nëna me foshnjen katër muajshe që u transferua në burgun e Pojskës për të vuajtur dënimin me 6 vite e 8 muaj burg nuk i kërkon sistemit të drejtësisë pafajësinë e saj, por shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për shkak të fëmijës. Pikërisht kjo rrethanë është bërë pjesë e kërkesës së mbrojtjes, e cila i është drejtuar gjykatës më 5 tetor, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit penal. Avokati i Greta Gjocit i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar nenit 476, pika 1, shkronja “b” të Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë parashikon mundësinë e shtyrjes së ekzekutimit kur një grua e dënuar është shtatzënë ose ka një fëmijë nën moshën një vjeç.