Hita studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë: Policia nuk është vetëm profesion, por edhe mision
“Policia nuk është vetëm një profesion, por edhe një mision. Mos harroni përgjegjësinë tuaj.” Me këtë mesazh, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Hita, iu drejtua studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë, në nisjen e vitit të ri akademik në degën e Sigurisë dhe Hetimit.
Hita u uroi suksese studentëve, duke theksuar se ata do të formohen si pjesë e Policisë së Shtetit dhe se në të ardhmen do të kenë përgjegjësinë për t’u garantuar qytetarëve siguri dhe liri.
“Ju do të jeni studentë të Policisë dhe nesër do të jeni oficerë, duke ju garantuar qytetarëve liri dhe siguri”, u shpreh Hita.
Ai vlerësoi rëndësinë e Akademisë së Sigurisë në formimin e brezit të ri të policëve, duke theksuar se studentët duhet të marrin përgatitjen dhe trajtimin e duhur gjatë rrugëtimit të tyre profesional.
Sipas Hitës, brezi i ri i studentëve do të ketë gjithashtu një rol të rëndësishëm në rrugën europiane të vendit.
“Ju do të jeni pararendës në rrugën europiane të vendit”, tha ai, duke u kërkuar studentëve të mbajnë parasysh përgjegjësinë që sjell uniforma e Policisë së Shtetit.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i cili u kërkoi studentëve të rinj të ndërtojnë një polici moderne, profesionale dhe me integritet. Demo theksoi se uniforma e shtetit është përgjegjësi dhe jo privilegj, ndërsa paralajmëroi edhe rritje të konsiderueshme të pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit.




