Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë në Athinë për dialogun e gjashtë strategjik SHBA-Greqi, ku Uashingtoni dhe Athina ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, siguri, energji, transport detar dhe teknologji. Në përfundim të dialogut, dy vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një programi të përbashkët sigurie, që synon forcimin e shkëmbimit të informacionit kundër terrorizmit mes autoriteteve ligjzbatuese amerikane dhe greke.
Bisedimet u zhvilluan në një moment kur lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë rritur rëndësinë strategjike të Mesdheut Lindor. Rubio tha se zhvillimet e fundit kanë treguar edhe më qartë rëndësinë e aleancës mes SHBA-së dhe Greqisë, të cilën e cilësoi një partner kyç të Uashingtonit.
"Kur sheh një botë që përballet me ngjarje destabilizuese, e kupton sa e rëndësishme është kjo aleancë me Greqinë për Shtetet e Bashkuara. Ajo është një burim stabiliteti në një botë të paqëndrueshme", deklaroi Rubio.
Sipas tij, dy vendet ndajnë një histori dhe trashëgimi të përbashkët, si edhe të njëjtin vlerësim për kërcënimet me të cilat përballen. Ai vlerësoi gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake të Greqisë, duke thënë se vendi është në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimin për të investuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje gjatë këtij viti, ku më shumë se 3.5% do të shkojnë për shpenzimet bazë të mbrojtjes.
Rubio e cilësoi Greqinë një partner kyç edhe në sigurinë kufitare, luftën kundër terrorizmit dhe goditjen e organizatave kriminale ndërkombëtare, duke theksuar se pozicioni i saj në kryqëzimin e rrugëve të emigracionit dhe trafikimit në Mesdhe i jep një rol të rëndësishëm.
"Ajo që nuk duam të shohim, në asnjë rrethanë, është që vendlindja e Perëndimit të kërcënohet nga vendime të gabuara, nga mosveprimi dhe nga dështimi për t'u përballur me sfidat", tha ai.
Në fushën e mbrojtjes, ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, tha se Marrëveshja e Bashkëpunimit të Ndërsjellë në Mbrojtje mbetet kuadri kryesor i marrëdhënieve të sigurisë mes dy vendeve. Sipas tij, modernizimi i avionëve F-16 në konfigurimin Viper dhe blerja e planifikuar e avionëve luftarakë F-35 do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Greqisë dhe bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në.
"Në kushtet e paqëndrueshmërisë së shtuar gjeopolitike, dialogu strategjik pasqyron nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve tona dhe angazhimin e përbashkët për t'i thelluar ato më tej, për të forcuar lidhjen transatlantike dhe për të promovuar stabilitetin rajonal", u shpreh ai.
Një tjetër temë qendrore e dialogut ishte energjia. Gerapetritis tha se bashkëpunimi mes dy vendeve në këtë sektor ka arritur një "nivel të paprecedentë", duke veçuar rolin e Greqisë në Korridorin Vertikal, që shërben për transportin e gazit natyror të lëngshëm amerikan drejt Evropës Qendrore dhe Lindore.
Ai tha se prania në rritje e kompanive amerikane në kërkimin dhe zhvillimin e rezervave të hidrokarbureve në det të hapur, si edhe investimet në teknologjinë e lartë dhe ndërtimin e anijeve, tregojnë besimin në rritje të investitorëve amerikanë te ekonomia greke.
Rubio tha se siguria energjetike lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe se SHBA është e angazhuar për zgjerimin e korridoreve energjetike, eksporteve të gazit natyror të lëngshëm dhe ndërtimin e lidhjeve të reja të gazit dhe energjisë elektrike.
"Ngjarjet e fundit na kujtojnë sa e rëndësishme është të kemi korridore të ndryshme furnizimi me energji. Nuk mund të jemi në një situatë ku, nëse energjia ndërpritet nga një pjesë e botës, e gjithë bota vihet në rrezik", tha ai, duke e cilësuar Greqinë "një partnere të shkëlqyer" në këtë përpjekje.
Gerapetritis theksoi gjithashtu rëndësinë që Athina i kushton sigurisë së lundrimit, duke thënë se mbrojtja e rrugëve detare është thelbësore jo vetëm për flotën tregtare greke, por edhe për zinxhirët globalë të furnizimit dhe shmangien e krizave ushqimore. Ai kujtoi rolin drejtues të Greqisë në misionin detar të Bashkimit Evropian Aspides në Detin e Kuq dhe tha se vendi është i gatshëm të marrë sërish rol udhëheqës nëse do të nevojitet një operacion më i gjerë për garantimin e lundrimit të sigurt.
Ministri grek u ndal edhe te Qiproja, të cilën e cilësoi pjesë thelbësore të arkitekturës së sigurisë në rajon dhe përsëriti mbështetjen për ribashkimin e saj mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.
I pyetur nëse Greqia mund të mbështesë operacione amerikane përmes bazës detare të Sudës në Kretë, Gerapetritis tha se Athina ndjek një qasje të bazuar në respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
"Qëndrimi ynë është respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe mbështetja për palën që mbrohet nga agresori", tha ai.
Sipas ministrit grek, Greqia jo vetëm ka mbrojtur territorin dhe bazën e Sudës, por është kthyer edhe në një ofruese sigurie për rajonin.
"Kemi ofruar siguri për Qipron, Bullgarinë dhe vendet e Gjirit", tha ai, duke shtuar se sistemet e avancuara të mbrojtjes e kanë bërë Greqinë një "shtyllë stabiliteti".
Rubio tha gjithashtu se SHBA dhe Greqia po bashkëpunojnë për të luftuar trafikun e objekteve të trashëgimisë kulturore drejt Shteteve të Bashkuara. Në fund të konferencës, ai refuzoi të komentojë raportimet lidhur me ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, për të cilën demokratët në Kongres kanë kërkuar një hetim.











Komente
Komento