Tom Cruise po përballet me një periudhë të pazakontë në karrierë dhe jetën personale. Filmi i tij i fundit, “Digger”, nuk ka arritur rezultatet që priteshin në arkë. Projekti, ku 64-vjeçari largohet nga rolet klasike të heroit të aksionit për të interpretuar një manjat nafte nga Teksasi, debutoi me rreth 20 milionë dollarë në mbarë botën.
Rezultati është zhgënjyes për një film me një buxhet të raportuar prej rreth 160-180 milionë dollarësh, pa llogaritur shpenzimet e marketingut. “Digger” ishte menduar si një mundësi për Cruise për të treguar një tjetër anë të tij si aktor, por pritshmëritë për një sukses të madh duket se nuk janë përmbushur.
Aktori bëri një fushatë të gjerë promovuese për filmin, duke u shfaqur në intervista, programe televizive dhe evente të ndryshme. Madje, në premierën londineze u shfaq krah Princit William dhe Princeshës Catherine.
Por problemet për Cruise nuk janë kufizuar vetëm te kinemaja.
Në korrik u raportua se vajza e tij 20-vjeçare, Suri, ka zgjedhur të përdorë emrin Suri Noelle, duke hequr mbiemrin “Cruise”. Ajo përdori emrin e ri gjatë regjistrimit për të votuar në Pennsylvania, ku ndjek studimet.
Marrëdhënia mes aktorit dhe vajzës së tij ka qenë prej vitesh objekt i vëmendjes së mediave. Cruise dhe Katie Holmes u divorcuan në vitin 2012 dhe, sipas raportimeve të mëparshme, aktori dhe Suri nuk janë parë privatisht prej më shumë se një dekade.
Edhe në jetën sentimentale gjërat nuk kanë shkuar sipas pritshmërive.
Cruise i dha fund lidhjes me aktoren Ana de Armas pas disa muajsh romance. Dy aktorët ishin fotografuar së bashku në disa raste dhe udhëtuan në vende të ndryshme, duke nxitur prej kohësh spekulimet për marrëdhënien e tyre.
Por ndërsa Cruise vijon rrugën e tij, Ana de Armas duket se ka nisur një kapitull të ri. Aktorja është shfaqur së fundmi publikisht në Paris krah muzikantit venezuelian Beto Montenegro, duke i dhënë më shumë peshë raportimeve për lidhjen e tyre.
Pavarësisht kësaj periudhe jo fort të favorshme, Cruise nuk po largohet nga kinemaja.
Aktori pritet të rikthehet në një tjetër projekt të madh të “Top Gun”, ndërsa po punohet edhe për vazhdimin e “Days of Thunder”. Pas dekadash në Hollywood, duket se Cruise po rikthehet te formulat që i kanë sjellë disa prej sukseseve më të mëdha të karrierës së tij.
Lini një Përgjigje