Tedi Blushi: Nesër të gjithë para Kuvendit për të ndaluar hartën kriminale të Ramës
Deputeti i PL, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër kundër hartës së re administrativo-territoriale të propozuar nga qeveria, duke e cilësuar atë si një projekt që rrezikon të sjellë shpopullimin dhe dobësimin e komuniteteve në zona të ndryshme të vendit. Në një deklaratë publike, Blushi u bën thirrje qytetarëve për t’u mbledhur para Kuvendit për të mos lejuar miratimin e hartës së re territoriale.
Reagimi i plotë i Blushit:
Harta e re administrativo-territoriale e Edi Ramës nuk është një reformë, por një hartë diktatoriale, kriminale, shpopulluese dhe shkombëtarizuese, e pa konsultuar, që duhet refuzuar dhe ndalur nga të gjithë shqiptarët.
Kjo ndarje e dhunshme territoriale është pabesia e radhës e Edi Ramës, një thikë pas shpine për shqiptarët, që nuk shkrin vetëm 15 bashki, por që shkel rëndë Kushtetutën, Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale, që e zhduk nga harta e Shqipërisë trevat më patriotike të vendit, identitetin, trashëgiminë dhe vlerat e tyre, që zhbën përfaqësimin, largon në torturë shërbimet publike, frenon zhvillimin e komuniteteve dhe kërcënon seriozisht të ardhmen e zonave të tëra të vendit.
Ky projekt ogurzi duhet ndalur me çdo çmim dhe shqiptarët duhet t’i tregojnë Edi Ramës se vetëm ata janë zot i familjeve të tyre, vatrave të tyre, zonave dhe së ardhmes së tyre.
Partia e Lirisë, që e ka kundërshtuar me forcë këtë hartë shkatërrimtare, i fton nesër, në ora 10:00, të gjithë shqiptarët para Parlamentit, të protestojnë fuqishëm në emër dhe në mbrojtje të dinjitetit, të familjes, të trashëgimisë dhe të së ardhmes së tyre.
Nesër para Kuvendit, zëri i shqiptarët duhet të dëgjohet më fort se kurrë.
Kundërshtimi i kësaj harte kriminale nuk mund të trajtohet si një çështje lokale, që u përket vetëm 15 bashkive, që synohet të shkrihen.
Nuk mund të pranohet që një vendim kaq i rëndësishëm për jetën e qindra mijëra familjeve të kthehet në një vendimmarrje të njëanshme politike nga një Kuvend që sot përfaqëson vetëm interesat kriminale, mafioze dhe ekonomike të Edi Ramës.
I bëj thirrje çdo deputeti të Partisë Socialiste, t’i thërrasë mendjes dhe arsyes, të dëgjojë zërin e shqiptarëve, të mos jetë nesër një karton i verbër dhe në vend të votojë me urdhër politik një projekt ogurzi, duhet ta refuzojë dhe të bashkohet nesër në sheshin para Kuvendit me shqiptarët.
Çdo deputet i Partisë Socialiste duhet të kuptojë se çdo kërcënim për përjashtim nga grupi parlamentar, është i pavlerë në raport me vendimin për të dëgjuar dhe për t’u bashkuar me shqiptarët që janë ngritur në protestë.
Territori i Shqipërisë nuk mund të trajtohet si një plaçkë dhe çdo pëllëmbë tokë që Edi Rama kërkon ta fshijë nga harta duhet mbrojtur nga ky projekt ogurzi shpopullues.
Shqipëria ka nevojë për pushtet vendor më funksional, që garanton shërbimet jetike më afër me qytetarin, një pushtet vendor që u dëgjon dhe u zgjidh hallet, më të përgjegjshëm ndaj komuniteteve, jo për një ndarje kaq kriminale që prodhon më shumë largësi, torturë, shpenzime, largim shërbimesh, centralizim, pasiguri, që nxit largimin dhe braktisjen e trevave të tëra.
Ky Parlament nuk ka mandat për të vendosur për gjithçka.
Këtë mandat e ka vetëm sovrani dhe sovrani ka folur por do të flasë më fuqishëm nesër.
Shqipëria nuk mund të shpopullohet, nuk mund të shkombëtarizohet sepse zot i këtij vendi nuk është Edi Rama por janë vetëm shqiptarët.
Nesër, në orën 10:00, të gjithë para Kuvendit, për t’i treguar Edi Ramës se fundi i tij po vjen, se ditët i ka të numëruara, se ora e gjykimit popullur është më afër se kurrë dhe se llogaridhënies para shqiptarëve nuk do të mund t’i shmanget kurrë.
Harta e “Rilindjes” duhet hedhur në koshin e plehrave dhe bashkë me të edhe Edi Rama, armiku më i egër i shqiptarëve.
Të gjithë nesër, në ora 10:00, para Kuvendit sepse nuk ka fuqi në botë që mund të ndalë dot një popull të tërë, të ngritur në këmbë për të mbrojtur të drejtat, lirinë, dinjitetin, familjen dhe kombin e tij.

