Kriza e fasonerisë, 25 mijë punonjës më pak, 150 fasoneri të mbyllura! Ja problematikat e këtij sektori
Industria e manifakturës po përballet me një nga periudhat më të vështira, ndërsa sektori i fasonerisë vijon të humbasë vende pune dhe kompani. Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur kjo industri, sot numri ka zbritur në rreth 40 mijë.
Shifrat u bënë publike në një takim të Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” me bizneset e sektorit të fasonerisë në qarkun e Elbasanit, kryesisht në fushën e tekstileve. Sipas të dhënave të shoqatës, nga rreth 700 njësi fasonerie që kanë qenë pjesë e saj, rreth 150 janë mbyllur vitet e fundit.
Kryetari i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”, Florian Zekja, tha se sektori po përballet me faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, ndërsa ndër problematikat kryesore renditi mungesën e punëtorëve, tarifat doganore, zhvlerësimin e euros dhe vështirësitë në administrimin e granteve.
“Problematikat janë të ndryshme. Punëtorët, grantet, tarifat doganore etj. Nga 65 mijë kemi arritur në 40 mijë punëtorë. Edhe nga 1 miliardë kemi arritur në 600 milionë. Rënia është e dukshme. Muajt e fundit patëm edhe një kalim në vendin e dytë, sepse në vendin e dytë kaluan mineralet”, tha Florian Zekja, kryetari i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”
Përfaqësuesit e bizneseve në Qarkun e Elbasanit , shprehen se situata po vështirësohet vit pas viti. Rënia e euros, rritja e çmimit të naftës dhe kostot e prodhimit, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e fasonerive dhe në marrëdhëniet me partnerët e huaj.Një prej kërkesave të sipërmarrësve është mbështetja për investime në makineri të reja, për të automatizuar proceset e prodhimit dhe për të rritur produktivitetin.
Përballë kësaj situate, “Manifaktura Shqiptare” ka propozuar gjashtë masa për t’u përfshirë në Paketën Fiskale 2027, mes tyre lehtësimin e kostos së punës, rritjen e amortizimit fiskal, uljen e tarifave doganore për lëndët e para, lehtësira për fitimin e riinvestuar dhe krijimin e një fondi grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.




