Kush do ta marrë numrin 10 te Argjentina pas largimit të Messit?
Pas lamtumirës së Lionel Messit nga kombëtarja e Argjentinës, vëmendja tashmë është kthyer te e ardhmja e “Albiceleste”-s. Në qendër të diskutimeve është edhe Nico Paz, i cili shihet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë fanellën ikonike me numrin 10.
Messi mbylli një epokë më shumë se dy dekada me kombëtaren argjentinase, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Kapiteni fitoi dy herë Copa América, Kupën e Botës dhe trofeun Finalissima, duke u shndërruar në një prej figurave më të rëndësishme në historinë e futbollit argjentinas.
Pas ndeshjes së lamtumirës ndaj Beninit, Messi konfirmoi se kishte ardhur momenti për t’i dhënë fund aventurës së tij si futbollist me kombëtaren. Ylli argjentinas pranoi se do t’i mungojë shumë përfaqësimi i vendit të tij, por njëkohësisht theksoi se do të vijojë të mbështesë brezin e ri të futbollistëve.
Mes këtyre talenteve është edhe Nico Paz, pjesë e gjeneratës mbi të cilën Argjentina pritet të ndërtojë të ardhmen. Trajneri Lionel Scaloni ka dhënë sinjale se skuadra do të vazhdojë rrugëtimin me lojtarë të rinj, pas përfundimit të epokës së kapitenit legjendar.
Paz shihet si një prej emrave që mund të marrë një rol më të rëndësishëm në kombëtare, ndërsa fanella me numrin 10 mbetet një prej çështjeve më të diskutuara pas largimit të Messit.
Argjentinasi e mbylli karrierën ndërkombëtare me shifra historike: 208 ndeshje, 126 gola dhe 70 asistime me fanellën e kombëtares.

