Spanja vazhdon të mos ndalet. Kampionët e botës përmbysën Kroacinë në Split, duke fituar 2-1 në një ndeshje që dukej se po shkonte drejt një tjetër surprize.
Kroacia kaloi e para në avantazh në minutën e 17-të. Ivan Perishiç përfitoi pas një pritjeje të Unai Simon ndaj goditjes së Igor Matanoviç dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.Një nisje perfekte për kroatët, sidomos pas asaj humbjeje historike 0-7 ndaj Anglisë vetëm pak ditë më parë. Spanja pati vështirësi në pjesën e parë. Kroacia ishte agresive, fitoi duele dhe krijoi probleme në daljen e spanjollëve nga prapavija. Unai Simon u detyrua të ndërhynte disa herë për të mbajtur skuadrën e Luis de la Fuentes në lojë, shkruan A2.
Por, trajneri spanjoll bëri lëvizjen që ndryshoi ndeshjen. Në fillim të pjesës së dytë hyri në fushë Mikel Merino. Dhe mesfushori nuk vonoi të tregonte pse është një nga lojtarët më të besuar të De la Fuentes.
Në minutën e 61-të, pas një aksioni të bukur dhe asistimit të Dani Olmos, Merino goditi saktë me të majtën dhe barazoi rezultatin. Nga ai moment, Spanja mori kontrollin e ndeshjes.
Kroacia kishte rezistuar mirë, por situata u komplikua edhe më shumë në minutën e 79-të. Ivan Perishiç mori kartonin e dytë të verdhë pas një faulli ndaj Marc Cucurellas dhe la skuadrën me dhjetë lojtarë.
Dhe Spanja e shfrytëzoi menjëherë avantazhin numerik.Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, erdhi momenti i Merinos.Mesfushori kontrolloi topin, u kthye bukur dhe me të majtën goditi në cepin e portës së Livakoviçit.Përmbysje e madhe dhe një tjetër mbrëmje ku kampionët e botës treguan karakter.
Spanja vazhdon marshimin. 4 Fitore, 12 pikë, vendi i parë në grup, kualifikimi për në çerekfinale dhe mbi të gjitha thellon dhë më shumë rekordin, me 42 ndeshje radhazi pa humbje. (A2 Televizion)