Apeli i GJKKO i dënoi për mashtrim me Call Center-at, 4 nëna dhe një foshnje 3 muajsh dërgohen në burgun e Pojskës në Pogradec
Katër nëna mes tyre edhe një me fëmijë të mitur ndodhen tashmë në burgun e grave në Pojskë, pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që la në fuqi dënimet për grupin e akuzuar për mashtrim përmes call center-ave.
Mes tyre është edhe Greta Gjoci, e dënuar me 6 vite e 8 muaj burg. Ajo është dërguar në Pojskë mbrëmjen e ditës së martë, sëbashku me foshnjën e saj vetëm 3-muajshe, e cila ende ushqehet me gji. Nëna dhe fëmija janë vendosur në seksionin e posaçëm të burgut ku ndodhet edhe çerdhja.
Gjoci dhe katër gra të tjera kanë kërkuar nga GJKKO shtyrjen e ekzekutimit të dënimeve për shkak të fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare. Mbrojtja e Greta Gjocit argumenton se ndarja e nënës nga një foshnjë 3-muajshe mund të sjellë pasoja për shëndetin dhe zhvillimin e saj, ndërsa kërkon që deri në shqyrtimin e kërkesës ajo të qëndrojë në arrest shtëpie.
Çështja lidhet me dosjen e grupit të drejtuar nga Bruno Çobo. Sipas akuzës, grupi përdorte një call center në Tiranë për të mashtruar qytetarë italianë, duke i bindur të investonin në bursa, ndërsa dëmi i përllogaritur nga skema arrin në rreth 4.7 milionë euro. Apeli la në fuqi dënimet për 16 të pandehurit, me rreth 110 vite burg në total.
Ky është rasti i dytë që gjykatat shqiptare dërgojnë në burgë nënat bashkë me foshnjat e tyre, një rast i tillë u mediatizua edhe pak kohë më parë, por që pas reagimit të Avokatit të Popullit nënat dhe foshnja u liruan nga gjykata e apelit.
Edhe ditën e sotme, një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit, konkretisht Mekanizmi për Parandalimin e Torturës, po shkon në burgun e Pojskës, për të verifikuar situatën lidhur me dënimin e një zonje, që është njëherësh edhe nëne e një foshnje 3 muajshe.




