Shuhet në moshën 102-vjeçare aktorja fituese e çmimit “Oscar”

Aktorja amerikane Eva Marie Saint, fituese e çmimit “Oscar” dhe një prej figurave të njohura të kinemasë amerikane, është ndarë nga jeta në moshën 102-vjeçare.
Saint vdiq të martën, më 6 tetor, në shtëpinë e saj në Los Angeles, nga shkaqe natyrale, e rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e saj të afërt, bëri të ditur përfaqësuesi i saj.
Karriera e saj në kinema nisi në mënyrë spektakolare në vitin 1954, me filmin “On the Waterfront”, ku interpretoi përkrah Marlon Brando. Roli i Edie Doyle i solli asaj çmimin “Oscar” për aktoren më të mirë në rol dytësor, në debutimin e saj në ekranin e madh.
Një tjetër moment i rëndësishëm i karrierës erdhi në vitin 1959, kur Alfred Hitchcock e zgjodhi përkrah Cary Grant në thrillerin klasik “North by Northwest”, ku ajo interpretoi Eve Kendall.
Gjatë karrierës së saj mbi shtatëdekadëshe, Saint punoi me disa prej emrave më të mëdhenj të kinemasë amerikane, mes tyre Paul Newman, Gregory Peck, Warren Beatty dhe Yves Montand. Ajo u shqua gjithashtu në televizion, ku fitoi një çmim “Emmy”. 
Në vitet e mëvonshme, ajo vijoi të shfaqej në filma, mes tyre “Superman Returns” (2006), ku interpretoi Martha Kent, nënën adoptuese të Supermanit.
E lindur më 4 korrik 1924, Eva Marie Saint ishte ndër aktoret e fundit të brezit të madh të Hollywood-it të viteve ’40 dhe ’50. Vdekja e saj shënon largimin e një tjetër figure të rëndësishme të epokës së artë të kinemasë amerikane.


