
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë (KRZ) ka shpallur 19 lista zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 25 tetorit, ndërsa votuesit nga Kosova do të votojnë në Vranjë, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.
Votuesit nga Kosova që kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 25 tetor do të votojnë në qendra votimi jashtë Kosovës. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë ka vendosur që votimi për ta të organizohet në Vranjë, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.
Është vendosur që votuesit nga pjesa lindore e Kosovës dhe zona e Gjilanit të votojnë në Vranjë, ndërsa votuesit nga veriu i Kosovës kryesisht do të votojnë në Rashkë. Një pjesë e votuesve nga Kosova qendrore do të votojnë në Kurshumli, ndërsa për votuesit nga Peja, Prizreni dhe zonat përreth, qendrat e votimit do të caktohen në Tutin.
Përjashtim bëjnë votuesit nga Zubin Potoku, të cilët gjithashtu do të votojnë në Tutin dhe jo në Rashkë.
Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, tha se komisionet lokale zgjedhore, në bashkëpunim me autoritetet kompetente në këto qytete, do t’i përcaktojnë qendrat konkrete të votimit më së voni deri më 7 tetor.
Një situatë e tillë përsëritet edhe nga ciklet e mëparshme zgjedhore. Institucionet e Kosovës kanë vendosur që votimi në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë të mos organizohet pa një marrëveshje paraprake ndërmjet dy palëve.
