Bashkitë e drejtuara nga opozita i kanë dërguar një letër urgjente Këshillit të Evropës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore, duke i kërkuar të mos lejojnë miratimin në Kuvend të hartës së re territoriale që ul me 15 bashki numrin e tyre.

Në letrën e firmosur nga drejtuesi i Shoqatës së Bashkive të Djathta, Fisnik Qosja thuhet se procesi për riorganizimin territorial u zhvillua në mënyrë të njëanshme, pa respektuar konsultimin me qytetarët dhe pa marrë në konsideratë qëndrimet e këshilltarëve vendorë.

“Ndërhyrja duhet përpara se ndryshimet të miratohen në Kuvend pasi pas miratimit parlamentar do të jetë më e vështirë të parandalohet dëmi që mund t'u shkaktohet komuniteteve.”, thotë Qosja.

Në letrën drejtuar institucioneve europiane, shoqata paraqet edhe prova që, sipas saj, dëshmojnë anashkalimin e qytetarëve dhe këshilltarëve vendorë në 15 bashkitë që preken nga riorganizimi.

Shoqata paralajmëron se çështja nuk lidhet vetëm me interesat e banorëve të këtyre bashkive, por edhe me respektimin e standardeve dhe parimeve europiane të demokracisë lokale.

Ndryshimi i kufijve të njësive vendore, argumenton ajo, nuk mund të bëhet pa konsultim real me komunitetet e prekura dhe pa respektuar kuadrin kushtetues dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, thirrja drejtuar institucioneve të Këshillit të Europës vjen si një kërkesë për ndërhyrje para vendimmarrjes përfundimtare në Kuvend, me qëllim që procesi të mos kthehet në një fakt të kryer.

Sipas shoqatës, miratimi i një riorganizimi të tillë pa konsultimin e duhur do të dëmtonte jo vetëm interesat e komuniteteve vendore, por edhe besueshmërinë e Shqipërisë në zbatimin e parimeve europiane të vetëqeverisjes lokale.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë