Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me seancën plenare të parashikuar për ditën e nesërme, ku pritet të hidhet në votim drafti i Partisë Socialiste për Reformën Territoriale.
Gjatë fjalës në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha kundërshtoi projektin, duke pretenduar se reduktimi i numrit të bashkive bëhet për interesa elektorale dhe për të favorizuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në pushtet.
Në këtë kuadër, kreu demokrat u bëri thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, pavarësisht bindjeve politike, që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar para Parlamentit.
“Kryefjala e sotme është seanca parlamentare e nesërme, në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton për hir të karriges së tij 15 bashki. Dhe redukton në këtë mënyrë në 41 njësi të qeverisjes vendore, në një vend më malor sa i përket sipërfaqes së mbuluar nga malet se çdo vend tjetër në Evropë.
Kjo politikë shpopullimi, në funksion të pushtetit të tij, kryekëput funksion elektoral, pa asnjë lloj kriteri tjetër është një akt shumë i rëndë, një akt faktikisht shpalljeje armiqësie të hapur ndaj banorëve të këtyre bashkive, të cilët kanë reaguar me qytetari dhe përgjegjësi kundër këtij projekti.
Përveç kësaj, PD në projektin e saj, ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin në bazë të konsultimeve të bashkive të tjera. Nesër, qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht bindjeve politike, do të bashkohen në protestë për të mbrojtur interesat qytetare. Sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve, qytetarët e të gjitha bindjeve politike.
Është e rëndësishme kjo seancë, në të cilën ne duam t’u faktojmë qytetarëve se ky person i shndërruar në padrinon e vendit nuk ka asnjë interes tjetër për ta, përveç pushtetit të tij. Si të garantojë karrigen dhe mbijetesën mbi krimin monstruoz. Edi Rama po bën gjithçka të mbahet me çdo kusht në pushtet.
Në këtë rast, ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë para atij parlamenti që nuk meriton të ekzistojë, është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Ramës dhe organizatës së tij kriminale.”, tha Berisha.













