
Kryedemokrati Sali Berisha ashtu siç e pati paralajmëruar më herët, u kërkoi qytetarëve shqiptarë që të mblidhen nesër për të protestuar para Kuvendit kundër Reformës Territoriale e cila sipas tij është "politikë shpopullimi".
Berisha tha se duhet që qytetarët të bashkohen për të mbrojtur interesat e tyre para parlamentit, për të cilin tha se nuk duhet të ekzistojë.
"Mblidhemi për seancën e nesërme në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton, për hir të karriges së tij, 15 bashki dhe redukton në këtë mënyrë në 41 bashki, 41 njësi të qeverisjes vendore, në mbarë vendin. Në një vend më malor, përsa i përket sipërfaqes së mbuluar nga malet, se çdo vend tjetër në Evropë. Kjo politikë shpopullimi në funksion të pushtetit të tij, kryekëput në funksion elektoral, pa asnjë lloj kriteri tjetër, është një akt shumë i rëndë.
Një akt faktikisht shpallje armiqësie të hapur ndaj banorëve të këtyre bashkive, të cilët kanë reaguar me qytetari dhe në përgjithësi kundër këtij projekti. Përveç kësaj, Partia Demokratike në projektin e saj ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin bazë të konsultimeve të bashkive të tjera. Nesër qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, do bashkohen në një protestë për të mbrojtur interesat qytetare, sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve qytetarët e të gjitha bindjeve politike.
Është shumë e rëndësishme kjo seancë në të cilën ne duhet t'u faktojmë qytetarëve shqiptarë se ky, person i shndërruar në padrinon e vendit nuk ka asnjë interes tjetër për ta përveçse interesave të pushtetit të tij, si të garantojë karrigen dhe mbijetesën mbi krimin monstruoz. Edi Rama po bën gjithçka të mbahet me çdo kusht në pushtet. Në këtë rast unë ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë për atë parlament që nuk meriton të ekzistojë. Ai parlament është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale"- tha Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar që vijoi më pas pa praninë e kamerave. Versus.al


