Studimi kombëtar mbi bullizmin në shkollat shqiptare ka zbuluar një hendek të thellë perceptimi mes prindërve dhe fëmijëve të tyre. Sipas akademikes Majlinda Keta, ndërsa rreth 90% e nxënësve shprehen të kënaqur me jetën shkollore, prindërit e tyre zbresin menjëherë me 20-30 pikë përqindjeje në të njëjtin tregues.
‘Unë si prind mësoj për shkollën përmes fëmijës tim,’ shpjegon Keta, duke theksuar se shumë prindër nuk komunikojnë drejtpërdrejt me shkollën dhe formojnë perceptimet e tyre bazuar te imazhet apo lajmet mediatike, shpesh të fokusuara në ngjarje të izoluara dhe agresive.
Sipas saj, institucioni më i prekur nga këto fenomene është vetë institucioni prindëror, ndërsa prindërit dhe mësuesit shpesh veprojnë si ‘dy kampe me armë në dorë me njëri-tjetrin’, në vend që të bashkëpunojnë si kuratorë kryesorë të mirëqenies së fëmijëve.
Studiuesja ngre alarmin edhe për kohën që fëmijët kalojnë para ekraneve: shumica konsumojnë 2-4 orë në ditë, por një pjesë e konsiderueshme shkon deri në 8 orë, ndërsa rreth 5% e kalojnë këtë shifër, duke treguar mungesë kontrolli prindëror. Keta rekomandon që prindërit t’i kushtojnë së paku 30 minuta në ditë lojërave me fëmijët, pa ekrane dhe pa diskutime për shkollën apo notat.