Një studim kombëtar mbi bullizmin në shkollat shqiptare, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Inovacionit, ka nxjerrë në pah gjetje shqetësuese për realitetin e fëmijëve shqiptarë. Sipas akademikes Majlinda Keta, e ftuar në emisionin Wake Up, Shqipëria ka arritur të realizojë një studim krahasues me vendet e progresuara në këtë fushë, duke mos parë nxënësin si të vetmin objekt studimi.
Nga të dhënat rezulton se format e bullizmit, përfshirë atë verbal, social dhe kibernetik, prekin në masën 14-20% të nxënësve, në përputhje me shifrat evropiane, por me variacione gjeografike. E veçantë dhe shqetësuese është humbja e diferencave gjinore: vajzat dhunojnë po aq sa djemtë, përdorin po aq thashetheme dhe janë po aq protagoniste të bullizmit kibernetik, me një avantazh prej 1-2% në disa raste.
Studimi tregon gjithashtu se nuk ka më dallime mes fshatit dhe qytetit apo mes shkollave publike dhe jopublike në përhapjen e fenomenit, duke rrëzuar perceptimin se bullizmi është thjesht një problem urban. Keta thekson se gjetja më shqetësuese mbetet papërgatitja e mësuesve: rreth 70% e tyre pranojnë se nuk kanë marrë kualifikimin e duhur për të përballuar fenomenin, pavarësisht ndryshimeve të fundit në skemat e kualifikimit, të cilat kanë kaluar nga qendrat private drejt universiteteve.