“Më duhej të bëja 5 telefonata”/ Rrëfimi i pazakontë i Michael Douglas, tregon si u nda nga 5 gra brenda natës pas ultimatumit të Catherine Zeta-Jones

07/10/2026 14:23

Michael Douglas ka zbuluar një detaj të panjohur nga fillimet e romancës me Catherine Zeta-Jones. Në librin e tij të ri autobiografik, aktori i famsahëm tregon se i dha fund pesë lidhjeve të tjera për t’u përkushtuar ekskluzivisht ndaj gruas që më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij.

Douglas ka rrëfyer prapaskenat e fillimit të historisë së tij të dashurisë me Catherine Zeta-Jones, duke zbuluar se aktorja i kërkoi të merrte një vendim të qartë për marrëdhënien e tyre.

Në kujtimet e tij të reja, “One Helluva Ride”, ylli i “Fatal Attraction” tregon se pas disa muajsh afrimiteti, Zeta-Jones i bëri të qartë se nuk ishte e interesuar të dilte me të nëse ai vazhdonte të takohej me gra të tjera.

“Unë nuk jam e interesuar të takohem me ty nëse ti po takon edhe njerëz të tjerë”, i kishte thënë ajo Douglasit, duke i kërkuar të zgjidhte nëse donte një lidhje monogame me të.

 “Prit këtu, më duhet të bëj pesë telefonata të shpejta”, ishte përgjigja e papritur e aktorit.

“Pesë? Duhet të bësh pesë telefonata?!”, i ishte përgjigjur Zeta-Jones.

Douglas shpjegon se pas ndarjes nga bashkëshortja e tij e parë, Diandra Luker, në vitin 1995, pas 23 vitesh martesë, ai kishte nisur marrëdhënie joekskluzive me pesë gra që jetonin në qytete të ndryshme.

Atë ditë, ai telefonoi secilën prej tyre për t’u treguar se kishte takuar dikë dhe se nuk do të mund të vazhdonte më lidhjen me to. Sipas Douglasit, të gjitha e pritën mirë vendimin.

Takimi i parë nuk shkoi siç pritej

Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones nisën lidhjen në vitin 1998, pasi u takuan gjatë Festivalit Amerikan të Filmit në Deauville. Por takimi i tyre i parë nuk ishte aspak perfekt.

“Unë do të jem babai i fëmijëve të tu”, i tha Douglas aktores gjatë asaj mbrëmjeje.

Deklarata e vuri në siklet Zeta-Jones dhe ajo u largua nga takimi. Vite më vonë, Douglas e ka mbrojtur atë fjali, duke thënë se nuk ishte një mënyrë për ta joshur, por diçka që ai e ndiente vërtet.

“Edhe pse e kisha njohur vetëm për një mbrëmje, kishte diçka krejtësisht ndryshe tek ajo. Ishte ndryshe nga çdo grua tjetër që kisha njohur”, shkruan aktori.

Ai e përshkruan bashkëshorten e tij si “magjike”, duke thënë se ishte i bindur se ajo ishte gruaja e duhur për të.

Për ta bindur Catherine-n t’i jepte një tjetër mundësi, Douglas i dërgoi një buqetë me lule dhe një letër ku i kërkonte falje. Dy vite më vonë, çifti u martua në Plaza Hotel në Nju Jork.

25 vite martesë

Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones kanë dy fëmijë së bashku, Dylan, 26 vjeç, dhe Carys, 23 vjeç, të dy të angazhuar në aktrim. Douglas ka gjithashtu djalin Cameron, 47 vjeç, nga martesa e tij e parë.

Çifti pati një periudhë të vështirë në vitin 2013, kur u ndanë për një kohë të shkurtër, pas problemeve shëndetësore të Douglas dhe trajtimit të Zeta-Jones. Megjithatë, ndarja nuk zgjati.

“Që nga momenti që u ndamë, nuk hoqa kurrë dorë nga shpresa se do të pajtoheshim. E dua Catherine në një mënyrë që nuk kam dashur kurrë një grua tjetër”, rrëfen Douglas.

Ai e përshkruan atë si bashkëshorten, shoqen më të mirë dhe partneren e jetës. Çifti, i cili ka të njëjtën datëlindje, festoi 25-vjetorin e martesës në nëntor. Me këtë rast, Zeta-Jones i kushtoi bashkëshortit një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke kujtuar ditën kur kishte ecur drejt altarit.

“Unë të dua sot ashtu si të doja atëherë”, shkroi ajo në përvjetorin e martesës.

Top Channel