46 bashki/ Nesër pritet votimi në Kuvend, Mazniku shpjegon çfarë ndodh me 15 bashkitë që shkrihen

Shqipëria pritet të kalojë nga 61 në 46 bashki, dhe nesër pritet votimi në Kuvend. Modeli i propozuar nga PS parashikon bashkimin e disa prej bashkive më të vogla me njësi më të mëdha, por pa i zhdukur qytetet dhe identitetin e tyre administrativ. Sipas Arbjan Maznikut, që është edhe një nga hartuesit e draftit, qëllimi është që fondet, administrata dhe kapacitetet të përqendrohen në një strukturë më të madhe, ndërsa shërbimet lokale dhe përfaqësimi i zonave të vijojnë të garantohen.

Një nga shembujt e përdorur nga Mazniku është ai i Elbasanit, Cërrikut dhe Belshit. Sipas hartës së re, këto tre bashki do të bëhen pjesë e një bashkie të vetme, me një kryetar dhe një këshill bashkiak.

Cërriku dhe Belshi nuk do të zhduken si qytete. Sipas modelit të propozuar, ato do të kenë nënkryetarë të bashkisë dhe përfaqësim proporcional në këshillin e bashkisë së re. “Do të ketë nënkryetar të bashkisë për Cërrikun e Belshin dhe do të kenë numër proporcional fiks në Këshillin Bashkiak. Emri i qytetit qëndron, tregu, çdo aktivitet qëndron aty”, deklaroi Mazniku në ”Report TV”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një buxhet dhe një administratë për territorin e bashkuar

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndryshimi kryesor do të jetë te mënyra se si merren vendimet dhe menaxhohen financat. Në vend që Elbasani, Cërriku dhe Belshi të kenë secili buxhetin dhe strukturat e veta administrative, bashkia e re do të ketë një buxhet të përbashkët dhe një këshill bashkiak që do të vendosë për të gjithë territorin.

Mazniku e lidh këtë model me atë që e quan “ekonomi të shkallës”. Sipas tij, bashkitë e vogla shpesh nuk kanë mundësi të blejnë pajisjet apo të mbajnë strukturat e nevojshme për të ushtruar të gjitha kompetencat që u jep ligji.

Ai sjell si shembull mirëmbajtjen e kanaleve, ku një ekskavator mund të jetë shumë i kushtueshëm për një bashki të vogël, ndërsa një bashki më e madhe mund ta përdorë të njëjtin mjet në disa zona. Sipas PS-së, përqendrimi i burimeve do të krijojë mundësi për më shumë investime dhe shërbime në territor.

Çfarë ndodh me shërbimet lokale?

Mazniku këmbëngul se bashkimi administrativ nuk do të thotë largim i shërbimeve nga qytetet që humbasin statusin e bashkisë. Strukturat që lidhen drejtpërdrejt me shërbimet në terren, sipas tij, do të vijojnë të jenë në Cërrik dhe Belsh. Ndryshimi do të prekë kryesisht zyrat administrative dhe strukturat profesionale që sot përsëriten në çdo bashki. “Ajo që bashkohet janë zyrat profesionale, urbanistika, financat, planifikimet sociale, ndërsa ofruesit e shërbimit do të qëndrojnë aty ku ishin”, tha Mazniku.

Transporti publik, një nga argumentet e mazhorancës

Transporti publik është një tjetër shembull që mazhoranca përdor për të justifikuar bashkimin. Sipas Maznikut, Elbasani ka transport publik, ndërsa Cërriku dhe Belshi nuk e ofrojnë këtë shërbim, pavarësisht se e kanë si kompetencë ligjore. Argumenti i tij është se një bashki më e madhe do të kishte mundësi të krijonte një sistem transporti që do të lidhte të gjitha njësitë e territorit. Në këtë mënyrë, sipas PS-së, bashkimi nuk do të nënkuptonte thjesht ndryshim kufijsh, por krijimin e një territori me kapacitet më të madh për të financuar shërbimet.

Jo domosdoshmërisht më pak punonjës

Një tjetër pikë e debatit lidhet me administratën dhe numrin e punonjësve. Mazniku kundërshton idenë se bashkimi i bashkive duhet të sjellë automatikisht shkurtim të numrit të punonjësve. Sipas tij, synimi është reduktimi i strukturave administrative të dyfishta, ndërsa në terren mund të nevojiten më shumë punonjës. Ai përmendi zjarrfikësit, edukatorët dhe punonjësit e mirëmbajtjes si profesione ku, sipas tij, nevojitet rritje e kapaciteteve. “Numri i edukatorëve duhet rritur. Që të ofrojmë shërbime me standarde duhet të kemi më shumë edukatorë, zjarrfikës, mirëmbajtës”, tha Mazniku.

PS dhe PD, dy modele të ndryshme

Përplasja nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive. PS propozon uljen e numrit në 46, ndërsa PD ka hedhur idenë e rritjes së tyre në rreth 100. Mazniku argumenton se një numër më i madh bashkish do të sillte njësi më të vogla dhe, rrjedhimisht, me më pak kapacitete financiare dhe më pak kompetenca. Sipas tij, një model me rreth 100 bashki do të mund t’i linte njësitë vendore vetëm me disa funksione bazë, ndërsa kompetenca të tjera do të riktheheshin te qeveria qendrore. “Ne ofrojmë decentralizim real me bashki më të mëdha e më të fuqishme që kanë më shumë të ardhura e më shumë vendimmarrje”, tha ai.

Pa konsensus me opozitën

Reforma po shkon drejt votimit pa një marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës. Mazniku pranoi se konsensusi do të ishte skenari më i mirë, por argumentoi se mungesa e dakordësisë nuk duhet ta mbajë në fuqi hartën aktuale. Sipas tij, PS e sheh votimin në Kuvend si mekanizmin kushtetues për të zgjidhur ngërçin politik. Në këtë kuadër, mazhoranca argumenton se ka kryer dëgjesa me qytetarët dhe institucionet vendore, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit. Nëse drafti miratohet, Shqipëria do të kalojë nga 61 në 46 bashki. Qytetet që humbasin statusin e bashkisë do të mbajnë emrin, shërbimet lokale dhe përfaqësimin, ndërsa financat, administrata dhe vendimmarrja do të përqendrohen në bashkitë e reja më të mëdha.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?